Sot, më 29 tetor 2025, Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Harta”, në kuadër të të cilit janë konfiskuar 13 pasuri të paluajtshme, me një sipërfaqe totale prej 83 497 metrash katrorë, të ndodhura në Ranë të Hedhun, Ishull Lezhë, Tale dhe Vain.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, konfiskimi është kryer në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO), pasi është provuar se pasuritë janë përfituar nga veprimtari kriminale.
“Në zbatim të këtij vendimi të vitit 2021, të lënë në fuqi me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit në vitin 2022, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kanë konfiskuar 13 pasuri të paluajtshme të llojeve ‘tokë në bregdet’, ‘arë’ dhe ‘pemëtore’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë hetimeve është provuar se këto pasuri, të ndodhura në zonat bregdetare dhe bujqësore të Lezhës, janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga veprimtari kriminale, kryesisht në fushën e pastrimit të parave.
Policia kujton se vetëm gjatë javës së fundit në qarkun e Lezhës janë konfiskuar gjithsej 20 pasuri me sipërfaqe totale prej rreth 98 525 metrash katrorë, të gjitha të dyshuara si produkte të aktivitetit kriminal.
“Një javë më parë, në vijim të punës për gjurmimin e aseteve me burime të kundërligjshme, u konfiskuan në zbatim të një vendimi tjetër të GjKKO-së, 7 pasuri të ndodhura në bregun e lumit Drin dhe në fshatin Ishull Shëngjin, me sipërfaqe totale 15 028 m²”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit thekson se veprimet për konfiskime do të vijojnë edhe në javët në vijim, si pjesë e punës për goditjen e pasurive të përfituara nga veprimtari të paligjshme dhe zbatimin e vendimeve të formës së prerë të GjKKO-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 
