Për të realizuar këtë zbulim të ri rreth mbijetesës ndaj rrezikut të vdekjes nga koronavirusi antropologët e gjeten mutacionin në mostrat që u morën nga ADN-ja e Neandertalit në 30 për qind e mostrave të njerëzve me origjinë evropiane dhe aziatike. Ky mutacion mbrojtës në fakt u zbulua se ndikon në reagimin imunitar të trupit ndaj viruseve të ARN si koronavirusi i ri, virusi i Nilit Perëndimor apo hepatiti C.

Ai kodifikon proteina që aktivizojnë enzimat, të cilat janë të rëndësishme gjatë infeksioneve me viruset ARN. Sipas antropologut gjerman Svante Pabo ky mund të jetë një nga ato mutacione që është përcjellë gjatë mijëvjeçarëve, pasi i ka ndihmuar njerëzit që të mbijetojnë.

“Ne tregojmë në këtë studim se një haplotip në kromozomin 12, që lidhet me një rënie prej 22 për qind të rrezikut relativ të sëmurjes së rëndë nga Covid-19 kur dikush infektohet nga SARS-CoV-2, është trashëguar nga Neandertalët. Rreziku relativ i nevojës për një kujdes intensiv zvogëlohet me rreth 22 për qind për njerëzit që kanë kopje të haplotipit Neandertal.”

Ky mutacion është i pranishëm në frekuenca të konsiderueshme në të gjitha rajonet e botës jashtë Afrikës në Euroazi dhe Amerikë me frekuenca që tejkalojnë nivelin 50 për qind. Kjo gjetje mund të ndihmojë në shpjegimin se përse pacientët zezakë, vuajnë një formë të rëndë të koronavirusit. Neandertalët, të cilët u zhdukën rreth 40.000 vjet më parë, jetuan përkrah dhe shpesh u çiftuan me njerëzit modernë në Evropë dhe Azi, por jo në Afrikë.

Për këtë arsye, njerëzit me origjinë afrikane nuk e bartin ADN-në e Neandertalit. Studimet vlerësojnë se rreth 2 për qind e ADN-së tek njerëzit me origjinë evropiane dhe aziatike, mund të gjurmohen që nga Neandertalët. Ekipi i studiuesve përdori mostra të marra nga më shumë se 2.200 njerëz të gjallë me raste të rënda të koronavirusit.

Ata gjetën një rajon gjenetik që ndikonte mbi ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve të rënda. Pastaj e krahasuan me ADN-në e marrë nga skeletet e 4 njerëzve të lashtë – një Neandertal 70.000 vjeçar nga Siberia, një Neandertal 50.000 vjeçar nga Kroacia, një Neandertal 120.000 vjeçar nga Shpella Denisova në Siberi dhe një Neandertal 80.000 vjeçar po nga Shpella Denisova. Të katër mostrat, bartën të njëjtat versione të asaj sekuence gjenetike.

Studiuesit identifikuan një mutacion gjenetik të trashëguar nga Neandertalët, që e shtonte rrezikun e sëmurjes rëndë me Covid-19. Ashtu si me shumicën e tipareve, ndjeshmëria ndaj sëmundjeve dhe rezultateve serioze, ndikohet nga një larmi ndryshimesh gjenetike

Klan News