Pamjet më poshtë tregojnë momentin kur një person i armatosur hapi zjarr fare pranë Shtëpisë së Bardhë rreth orës 6 të pasdites, ose pak pas mesnate sipas orës së Shqipërisë.

Personi nxori nga çanta armën dhe qëlloi drejt oficerëve në një pikë kontrolli në ndërtesën presidenciale, ndërsa u përball menjëherë me kundërpërgjigjen e Shërbimit Sekret, ku mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë më vonë pasi u dërgua në spital.

Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit. I dyshuari u identifikua si një person me çrregullime të shëndetit mendor, i cili kishte marrë edhe më herët një urdhër për të qëndruar larg.

Në momentin që ndodhi ngjarja, presidenti Donald Trump ndodhej në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Orë më vonë, Trump vlerësoi reagimin e shpejtë dhe profesional të zyrtarëve të zbatimit të ligjit në një postim në mediat sociale.

Ai vuri në dukje se incidenti ndodhi një muaj pas të shtënave me armë në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve, duke shtuar se kjo tregon sa e rëndësishme është për të gjithë presidentët e ardhshëm të kenë hapësirë të sigurt, referuar sallës së vallëzimit.

Të shtënat me armë të shtunën në mbrëmje vijnë gjithashtu një muaj pas asaj që autoritetet e zbatimit të ligjit e quajtën një tentativë vrasjeje të presidentit, ku një person i armatosur u fut brenda hotelit ku Trump mbante darkë me gazetarët.

Tv Klan

/tvklan.al