Viktima quhet Gentian Qarri, policia gjen një makine të djegur

Ky është 40-vjeçari që u vra me breshëri plumbash poshtë shtëpisë së tij në Vlorë. Vrasësit e kanë pritur Gentian Qarrin të fshehur në një makinë Toyota poshtë banesës së tij.

Sapo ai doli nga shtëpia, rreth orës 18:16 minuta qëlluan mbi të me breshëri automatiku. Dëshmitarë të ngjarjes thanë se 40-vjeçari tentoi t’i ikte plumbave në përpjekje për t’u fshehur apo duke vrapuar, por mbi të u shkarkua e gjithë breshëria e automatikut nga makina që ishte në lëvizje.

Mësohet se Gentian Qarri u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Policia shoqëroi disa persona mes të cilëve dëshmitarë okularë, ndërsa nga kontrollet që kreu në periferi të Vlorës gjeti këtë makinë të djegur.

Mjeti u zbulua pranë Pyllit të Sodës dhe dyshohet se është makina që përdorën autorët. Nga të dhënat e para për viktimën, mësohet se ai punonte si hidraulik, por më parë ka jetuar në Itali.

Tv Klan