Frika kryesore e vendeve të quajtura “Vullnetare” mbetet e pandryshuar: Që Rusia mund të rikthehet të sulmojë disa vite pas një armëpushimi të mundshëm në Ukrainë. Për këtë arsye, edhe gjatë një takimi virtual të djeshëm, ata kërkuan sërish garanci të forta sigurie këtë herë edhe përpara mysafirit të ri të papritur, Sekretarit të Shtetit amerikan Marco Rubio.
“Çdo vendim që prek NATO-n dhe Europën duhet të ketë miratimin e tyre”, përsëritën kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se “Rusia nuk kërkon ende paqen”. Rubio u shpreh dakord mbi nevojën për garanci të forta sigurie për Kievin, ndërsa Donald Trump mbetet ende i paqartë për masën e forcës që SHBA-të do të përdornin kundër Moskës në rast të një shkeljeje të marrëveshjes. Për të forcuar këto garanci, vendet “vullnetare” krijuan dje një Task Forcë të re, të udhëhequr nga Britania dhe Franca, në bashkëpunim me SHBA-të dhe me mbështetjen e Turqisë.
Starmer dhe Macron janë të bindur se mbrojtja e Ukrainës nuk duhet të ketë kufizime dhe se në terren do të nevojiten trupa ndërkombëtare, fillimisht britanike dhe franceze, për trajnim të ushtrisë së Kievit dhe, ndoshta, për të mbrojtur infrastrukturat kritike. Sipas tyre, kjo është thelbësore për të dekurajuar çdo agresion të ardhshëm rus.
“Kemi kryer të gjitha inspektimet në terren, jemi gati”, tha ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, për median italiane La Repubblica.
Gjatë video-thirrjes së djeshme, Starmer nuk la vend për dyshime.
“Forca shumëkombëshe për Ukrainën”, siç e quan ai praninë ushtarake të huaj pas luftës, “është pjesë vitale e ushtrisë së ardhshme ukrainase”. Një qëndrim që mund të tensionojë negociatat me Putin dhe që nuk bind të gjitha 36 vendet pjesëmarrëse. Italia, për shembull, përjashton dërgimin e trupave të saj pa një mandat të OKB-së. Megjithatë, kryeministrja Meloni theksoi: “Jemi të bashkuar për Kievin, duhen garanci të forta sigurie”.
Starmer pritet të shtyjë Trump-in që SHBA-të t’i sigurojnë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi. Sipas tij, Macron-it dhe BE-së, nuk duhet bërë asnjë hap prapa përballë Putin-it gjatë negociatave. Në deklaratën e përbashkët të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë (E3), theksohet se vendet do të vazhdojnë me sanksionet dhe mbështetjen për Ukrainën “deri në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Zelensky u kërkoi sërish aleatëve më shumë ndihmë ushtarake, duke kujtuar se “lufta nuk ka përfunduar”.
Ndërkohë, britanikët vazhdojnë të këmbëngulin që Ukraina të ketë derën e hapur drejt NATO-s edhe pse prapa skenës shumë prej tyre e shohin këtë si një objektiv gjithnjë e më pak realist.
Vendet “Vullnetare”, nga ana tjetër, po nxisin përdorimin e qindra miliardë dollarëve të aseteve ruse të ngrira, një pikë shumë e ndjeshme në prag të një armëpushimi të mundshëm. Macron dhe Ursula von der Leyen paralajmëruan “zhvillime të reja në ditët në vijim”, ndërsa Starmer thuhet se ka dhënë garanci për të kapërcyer rezistencat e Belgjikës, e cila trembet nga pasojat ligjore dhe financiare, pasi mban shumicën e këtyre aseteve. Por duket se vendet e koalicionit janë të vendosura të shkojnë deri në fund.
/tvklan.al












Botërori 2026 
