Lista e garuesve të 11 Majit la pas shumë të zhgënjyer, e sidomos deputetë të Partisë Demokratike. Një prej tyre, Dashnor Sula, i cili pasi nuk u përfshi në listë të sigurt në Elbasan, la partinë për të kandiduar me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.
“Unë nuk mund të lejoj, të përdor termin, të përdhunohem. Kam sakrifikuar për atë parti, jetën në kuptimin, familjen time për gjithçka dhe jam i vetmi person që s’ka përfituar kurrë, nuk kam marr kurrë një tender. Një përfitues në kohën që ka qenë Sali Berisha kryeministër dhe jam një njeri që kam bërë një opozitë fort gjatë këtyre katër viteve përballë Edi Ramës, madje kolegë socialistë ma kanë thënë që më i egër pas Saliut ke qenë ti”, tha Dashnor Sula.
Një tjetër kandidate ndër më të votuarat në Primare, që mbeti jashtë zonës së sigurt, është dhe Jorida Tabaku. Ndonëse e zhgënjyer, mbetet besimplotë për një fitore.
“Me shumë modesti them që e meritoja se besoj që jam një figure përfaqësuese e qytetit të Tiranës. Partia Demokratike bëri këtë listë për Tiranën duke pasur parasysh disa faktorë. Nuk është se në atë listë ishte dikush tjetër që doli më i votuar se mua. Ky ishte një vendim politik i kryesisë. Jam e bindur që unë do jem deputete e Parlamentit të Shqipërisë”, u shpreh Jorida Tabaku.
Deputetja Dhurata Çupi, që u zhvendos nga Dibra në Tiranë është më optimiste.
“Nuk jam fare e zhgënjyer, e përsëris, në qarkun Dibër në 2021-shin kam qenë në listë të hapur, kam qenë e treta, kam bërë betejë elektorale, kam fituar dhe besoj që qytetarët do më votojnë edhe në Tiranë”, tha Dhurata Çupi.
Monika Kryemadhi nuk ia kurseu një ironi Endrit Braimllarit, ish-nënkryetarit të Partisë së Lirisë, tashmë i rekrutuar nga socialistët.
“Për zotin Endrit Braimllari sigurisht i uroj suksese në jetë. Mendoj që para gjashtë muajsh ulëriste për inceneratorët, nuk besoj se sot do të digjet dhe ai tek inceneratorët”, tha Monika Kryemadhi.
Ndonëse të ndarë, vota për Ilir Metën është e padiskutueshme.
“Sigurisht që do të shkoj dhe në listë të hapur për emrin e Ilir Metës, si kryetar i Partisë së Lirisë, president i Partisë së Lirisë”, tha Kryemadhi.
Ndërsa socialistët u shfaqën më sportivë ndaj pozicionimit të tyre në listë të hapur.
“Jam shumë i lumtur që më jepet mundësia që përsëri të gjithë qytetarët e Tiranës mund t’u shërbej atyre”, tha Toni Gogu.
Damian Gjiknuri, nuk e mohoi hatërmbetjen me kryesocialistin Rama për pozicionimin në listë të hapur, por shprehet optimist për një fitore të radhës.
“Ky sistem është krijuar për të mbrojtur figura politike, ky ka qenë thelbi, siç e aplikojnë shtetet e tjera. Megjithatë, Edi Rama kryetari i partisë, është një njeri që guxon, eksperimenton dhe mendoj që dhe kjo formulë mund të jetë shumë e suksesshme dhe pse jo të arrijmë një rezultat më të mirë se herët e tjera”, tha Gjiknuri.
Për çështjen e listave nuk munguan diskutimet as në seancë. Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj listave të hapura në nivel rajonal, duke i cilësuar ato si një rrezik për politikën dhe shoqërinë.
Klan News