Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar pasi Irani ka sulmuar me disa valë raketash ndaj Izraelit. Ushtria izraelite ka raportuar raste sulmesh në disa zona të Izraelit qendror, duke kërkuar ekipe kërkim-shpëtimi.

Më herët, janë raportuar sulme edhe në Tel Aviv, ku sipas shërbimit të emergjencës janë vetëm katër pika të goditura, me gjashtë persona të plagosur deri tani.

Ndërkohë, Izraeli ka vijuar kundërpërgjigjen ushtarake. Forcat Ajrore izraelite kanë shënjestruar mbi 50 objektiva në Iran, përfshirë baza lëshimi raketash dhe instalime të tjera ushtarake.

Sipas ushtrisë izraelite, që nga fillimi i konfliktit janë goditur më shumë se 3 mijë objektiva në territorin iranian. Pas vrasjes së Ali Larijanit, Irani ka emëruar si kreun e ri të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare Mohammad Bagher Zolghadr.

Situata paraqitet alarmante edhe në vendet e Gjirit Persik. Në Kuvajt, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar raketa iraniane për herë të dytë brenda natës, ndërsa disa linja energjie janë bllokuar nga raketat e rrëzuara. Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite gjithashtu njofton se ka shkatërruar një dron në pjesën lindore të vendit.

Klan News

/tvklan.al