Teherani po përpiqet të forcojë aleancën me Irakun. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Begher Ghalibaf u takua me presidentin e Irakut Nizar Amedi në Bagdad.
Presidenca irakiane tha se dy zyrtarët zhvilluan bisedime lidhur me atë që po ndodh në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Presidenti i Irakut, Amedi tha se Bagdadi mbështet përpjekjet për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të zgjidhur krizat në rajon, duke theksuar nevojën për dialog dhe kanale diplomatike për të trajtuar çështjet e pazgjidhura.
Ghalibaf ndodhet në Irak për një vizitë tre ditore. Ai tha para takimit me Amedi se Teherani do të ndërmarrë hapa praktikë për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e përshkroi Irakun si një vend të rëndësishëm në rajon.
Duke folur me gazetarët pasi vendosi një kurorë në një memorial për Abu Mahdi al-Muhandis dhe Qassem Soleimani pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, Ghalibaf tha se vizita e tij vjen në mes të situatës aktuale rajonale dhe nevojës për të përshpejtuar bashkëpunimin dypalësh pa ndërhyrje të huaja.
Vizita e Ghalibaf vjen pasi Shërbimi Kundër Terrorizmit i Rajonit të Kurdistanit tha se dy dronë Hadid-110 të mbushur me eksploziv u nisën të hënën herët nga drejtimi i kufirit iranian drejt zyrës së kryeministrit të Qeverisë Rajonale të Kurdistanit dhe rezidencës së kreut të Agjencisë së Mbrojtjes në distriktin Pirmam të provincës Erbil. Nuk u raportuan viktima.
Mediat në rajon raportuan se Presidenti i Rajonit të Kurdistanit, Nechirvan Barzani, kishte udhëhequr përpjekjet e ndërmjetësimit sekret midis administratës amerikane dhe Korpusit të Gardës Revolucionare (IRGC) të Iranit.
Ajo gjithashtu përkon me përpjekjet e autoriteteve irakiane për të vënë të gjitha armët nën kontrollin e shtetit, përfshirë ato të mbajtura nga grupet e armatosura të lidhura me Iranin.
/tvklan.al












Botërori 2026 
