“E pazgjidhshme.” Me këto fjalë, udhëheqësi suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei, e përshkroi të dielën situatën aktuale mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Që nga pjesëmarrja e Uashingtonit në operacionin izraelit “Luani ngrihet”, i cili në qershor goditi instalimet bërthamore iraniane, Teherani është mbyllur pas një retorike gjithnjë e më kërcënuese, duke u fokusuar te çështja bërthamore.
Në mungesë të një mjeti më të rrezikshëm, Irani “tregon dhëmbët”, me zëvendëskryeministrin e parë iranian, Mohammad Reza Aref, i cili paralajmëroi të hënën, më 18 gusht, se Republika Islamike është e gatshme për një luftë të re me Izraelin.
Negociatat në ngërç
Deklarata vjen në prag të një takimi mes zëvendësministrave të jashtëm të Iranit dhe vendeve evropiane nënshkruese të marrëveshjes bërthamore (JCPOA), me qëllim ringjalljen e negociatave për kufizimin e programit të pasurimit të uraniumit nga Irani.
Sipas analistit Saeed Aganji, “nënshkrimi i një marrëveshjeje me Uashingtonin mbetet e vetmja rrugë realiste për Iranin për të zbutur presionin ndërkombëtar dhe për të menaxhuar krizën e brendshme.”
Ai shton se autoritetet iraniane janë të vetëdijshme se aktivizimi i mekanizmit “snapback” (i aktivizimit automatik) nga Evropa mund të krijojë kushtet për një sulm të ri izraelit.
Emërimi i të moderuarit Ali Larijani në krye të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare (SCSN) më 19 gusht, organ që merret edhe me dosjen bërthamore, ngjalli shpresën për një qasje më pragmatike.
Por vetëm shtatë ditë përpara afatit të vendosur nga vendet E3 (Franca, Gjermania, Britania), përpara rikthimit të sanksioneve që ishin hequr sipas marrëveshjes së Vjenës të vitit 2015, sinjalet mbeten të përziera.
Më 18 gusht, qeveria iraniane njoftoi se do të rifillojë diskutimet me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), një nga dy kushtet e vëna nga Evropa për të shtyrë afatin e “snapback”-ut. Megjithatë, Teherani vazhdon të refuzojë çdo negociatë me Shtëpinë e Bardhë, pa garanci sigurie dhe pa premtime se nuk do të ketë sulme të tjera.
Profesori i historisë moderne Ali Ansari, nga Universiteti i Saint Andrews, deklaron:
“Iranianët këmbëngulin të nënshkruajnë një marrëveshje sipas kushteve të tyre, gjë që është shumë larg pritshmërive të SHBA-ve dhe Evropës.”
Irani ende e sheh heqjen dorë nga pasurimi i uraniumit si një vijë të kuqe. Në mungesë të garancive, Teherani shpalli më 19 gusht krijimin e një Këshilli Mbrojtjeje, që do të koordinojë ushtarakisht vendin dhe do të rishikojë planet e mbrojtjes dhe modernizimin e forcave të armatosura.
Izraeli kërcënon
“Duhet të jemi gati për përballje. Nuk jemi në një armëpushim, por vetëm në një pauzë armiqësie,” paralajmëroi Mohammad Reza Aref më 18 gusht. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte deklaruar më herët në korrik se “nuk ka asnjë synim për të ulur presionin mbi Iranin.”
Megjithëse sulmet izraelite në qendrat bërthamore iraniane si Natanz, Fordow dhe Isfahan kanë dëmtuar ndjeshëm programin bërthamor të Iranit, ekspertët janë të një mendjeje se ai nuk është shkatërruar plotësisht.
Saeed Aganji thotë: “Izraeli është i gatshëm të angazhojë të gjithë fuqinë e tij ushtarake për të shkatërruar plotësisht programin bërthamor iranian.”
Një artikull i publikuar në gazetën “Le Monde” të mërkurën tregon se Izraeli vazhdon të kryejë operacione të fshehta në territorin iranian që nga qershori, përfshirë zjarre dhe shpërthime të paidentifikuara. Një zjarr i madh shpërtheu më 17 gusht në një depo me karburant në kryeqytetin Iranian, shkaku i të cilit nuk dihet ende.
“Ka mosmarrëveshje të mëdha të brendshme në Iran për vlerën e programit bërthamor dhe nëse ia vlen të vazhdojë, por ende nuk ka një zgjidhje,” thotë profesori Ali Ansari.
Më 17 gusht, Fronti i Reformistëve Iraniane bëri një deklaratë të fortë duke i kërkuar qeverisë që të heqë gradualisht dorë nga pasurimi bërthamor në këmbim të një heqjeje të ndjeshme të sanksioneve, që po rëndojnë ekonominë iraniane.
Por ajatollahu Khamenei ishte i prerë:
“Ata duan që Irani t’i bindet Amerikës. Kombi iranian do të ngrihet me të gjithë forcën kundër atyre që ushqejnë këto pritshmëri të gabuara,” deklaroi ai më 17 gusht, sipas mediave shtetërore.
Rreziku i një lufte të re
Për momentin, Teherani po përpiqet të zgjasë sa më shumë kohën e bisedimeve me evropianët, duke treguar njëkohësisht forcën e tij ushtarake. Por kjo mund të jetë vetëm një shtyrje e përkohshme.
“Uashingtoni përpiqet të shmangë një përshkallëzim të ri dhe shpërthimin e një konflikti tjetër, por rreziku i një lufte mbetet i hapur,” thotë analisti. Nëse Donald Trump e sheh Iranin si kërcënim serioz, ai mund të japë dritën jeshile për ndërhyrje së bashku me Izraelin.
Presidenti amerikan ka deklaruar se rikrijimi i arsenalit bërthamor nga Irani përbën një vijë të kuqe. Megjithëse Irani po përpiqet të paraqesë rifillimin e dialogut me IAEA-n si një hap transparence, ende nuk ka sqaruar se ku ndodhen 400 kg uranium i pasuruar në nivelin 60%, të cilat janë zhdukur pa gjurmë që nga qershori.
Në një intervistë për televizionin izraelit “i24news” më 13 gusht, Benjamin Netanyahu u shpreh i bindur se këto rezerva nuk janë shkatërruar ende./tvklan.al
Marrë nga “L’Orient Le Jour”












Botërori 2026 
