Aktori i njohur Matt Damon ka shprehur entuziazmin për pjesëmarrjen në filmin “Odisea”, duke e cilësuar ofertën për të luajtur rolin kryesor si telefonatën që kishte pritur gjatë gjithë jetës.
Aktori 56-vjeçar, fitues i çmimit Oscar, foli për përvojën e tij gjatë xhirimeve të filmit me regji të Christopher Nolan, gjatë një shfaqjeje speciale në Los Angeles, më 11 nëntor. Në një bisedë pas shfaqjes, të moderuar nga Robert Downey Jr., Damon u shpreh se nuk e kishte imagjinuar se do t’i jepej ndonjëherë mundësia të merrte pjesë në një projekt të tillë.
“Ishte telefonata që kisha pritur gjatë gjithë jetës sime. Vërtet nuk besoja se do të më jepej ndonjëherë mundësia ta bëja këtë”, tha aktori, i cili interpreton Odiseun, heroin legjendar të mitologjisë së lashtë greke.
Duke folur për bashkëpunimin me Nolan, Damon vlerësoi përkushtimin dhe standardet e larta të regjisorit, i cili, sipas tij, kërkon shumë jo vetëm nga bashkëpunëtorët, por edhe nga vetja.
“Chris ka pritshmëri jashtëzakonisht të larta nga çdo person, por të njëjtat kërkesa i ka edhe ndaj vetes”, u shpreh ai.
Aktori tregoi gjithashtu se vështirësitë e xhirimeve krijuan një lidhje të veçantë mes gjithë ekipit. “Odisea” u bë filmi i parë artistik me metrazh të gjatë që u xhirua tërësisht me kamera IMAX, një sfidë e veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.
“Kishte një frymë të fortë bashkëpunimi dhe solidariteti mes nesh”, tha Damon, duke shtuar se të gjithë ishin krenarë për punën e tyre dhe e kishin përqafuar me entuziazëm sfidën e sjelljes së kësaj historie epike në ekranin e madh.
Filmi “Odisea” rrëfen udhëtimin e rrezikshëm të Odiseut, mbretit të Itakës, drejt atdheut pas përfundimit të Luftës së Trojës. Xhirimet u realizuan në disa vende të botës.
Krahas Matt Damon në rolin e Odiseut, në kastin e filmit janë edhe Tom Holland si Telemaku, djali i tij, dhe Anne Hathaway në rolin e Penelopës. Pjesë e kastit janë gjithashtu Zendaya, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o dhe Charlize Theron.
/tvklan.al












Botërori 2026 
