Riviera shqiptare po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet turistike më tërheqëse të Evropës. Me bukuritë natyrore, çmimet konkurruese dhe investimet në rritje, kjo zone premton eksperienca të paharrueshme për vizitorët si dhe mundësi të konsiderueshme për sipërmarrësit e turizmit.

Sipas televizionit kombëtar në vendin fqinj riviera shqiptare po shfaqet si motori i zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Kjo zone është gjithashtu një magnet për shumë grekë, të cilët zbulojnë plazhet e saj unike dhe shijojnë jetën e pasur të natës. Dhjetëra hotele dhe resorte të reja turistike po ndërtohen përgjatë vijës bregdetare.
Këto zona ofrojnë mundësi unike për sportet ujore si dhe eksplorimin e plazheve smerald me varkë.

Vatika Katoselanou, sipërmarrëse: Himara është shumë e bukur, edhe pse ende relativisht e panjohur. Ka plazhe të organizuara por edhe limane të izoluar me çmimet e dhomave me qira duke filluar nga 40 deri në 150 euro në ditë. Grekët nuk janë vizitorët e rregullt të zonës por si zakonisht kemi vizitorë nga Skandinavia, Gjermania, Franca, Spanja dhe sigurisht  nga Italia.

“Kishim dëgjuar për Himarën por nuk e prisnim që të kishte këtu përreth plazhe kaq mahnitëse. Ja vlen ta vizitosh këtë vend,” tha një turiste.

“Erdhëm me makine këtu nga Parga. Procedurat në kufi ishin të shpejta dhe nuk na zgjati më shumë se katër orë udhëtim,” tha një tjetër.

“Na ftuan për pushime miqtë tanë shqiptarë. Kemi zbuluar me varke gjiret e mrekullueshme dhe po ashtu kemi realizuar lojëra ujore,” u shpreh një tjetër.

“Jetoj në Athinë. Gjatë sezonit veror vij këtu për të administruar biznesin tim. Vë re një fluks në rritje të frekuentimit nga turistët e huaj,” tha një biznesmen.

Shenjat e bumit të turizmit në Shqipëri pasqyrohen edhe në të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili vendosi një rekord të ri të trafikut të pasagjerëve, duke shërbyer 1,191,182 pasagjerë në korrik 2024 dhe duke regjistruar trafikun më të madh të pasagjerëve deri më sot.

Ky rekord i ri pasqyron popullaritetin në rritje të Shqipërisë si një destinacion turistik ndaj parashikohet edhe një rritje e mëtejshme në shifra. Së bashku me turistët vijnë edhe investimet. Në këtë zonë po ndërtohen dhjetëra hotele dhe resorte turistike, ndërkohë që përfundimi i aeroportit të ri në Vlore pritet t’i japë një hov të ri zonës.

Klan News