Tempujt janë ndër strukturat më të rëndësishme të njerëzimit, që identifikojnë lidhjen mes humanit dhe Hyjit, që nga paganizmi, politeizmi e të gjitha besimet fetare monoteiste. Në Egjiptin e Lashtë, tempulli konsiderohej Shtëpia e Zotit, vendi ku celebroheshin festat në nder të tij. Dhe vijon ende sot të jetë e njëjta gjë, përveç se kanë ndryshuar termat në bazë të religjioneve e kulturave.

Një ide mjaft interesante mbi tempujt egjiptianë shpjegon se ata janë mishërimi metafizik i trupit njerëzor e se pasqyrojnë rregullin kozmik dhe shpirtëror përmes proporcioneve të tyre. Mendohet se civilizimi i lashtë egjiptian kishte njohuri të jashtëzakonshme për ndërtimin e tyre, ndërthuri gjeometrinë e shenjtë, rizgjimin shpirtëror në arkitekturën e tyre, duke nënkuptuar që trupi njerëzor është vetë tempull që pasqyron harmoninë e Universit.

Tempull vjen nga latinishtja templum, që do të thotë vend, strukturë e shenjtë, dhe përkon me Temenos nga greqishtja e lashtë.

Format monumentale të tempujve morën formë me kulturat greko-romake dhe influencuan gjithë arkitekturën në botën perëndimore në shekujt në vijim.

Nga Egjipti i Lashtë, një prej civilizimeve më të ndritshme të njerëzimit, Tempulli i Abu Simbel ka një hijeshi ende sot të pakrahasueshme. I ndërtuar në shek. XIII p.e.s. nga faraoni Ramses II, konsiderohet ndër më monumentalët e antikitetit. Është një kompleks historik që përfshin dy tempuj masivë të gdhendur në shkëmb në fshatin Abu Simbel, i dekoruar në pjesën e përparme me 4 statuja të faraonit, të larta 20 m, dhe anash të dy grave, njëra nëna e tij dhe tjetra bashkëshortja e dashur e tij, Nefertari, që sipas legjendës vdiq në hyrjen e këtij tempulli.

Kulturat aziatike, të mbushura me mençuri shpirtërore, urtësi e qetësi mendimi, vijojnë të kenë shumë tempuj, bazë solide e besimit, historisë e traditës.

Tempulli i Borobudur në Indonezi është tempulli budist më i madh në botë. I ndërtuar rreth viteve 750-830 p.e.s., ka dimensione kolosale në mes të xhunglës, 123 m × 123 m në bazë, 35 m lartësi, i mbështetur në 1.6 milionë blloqe shkëmbore. Muret janë të dekoruara me 2672 basorelieve, pra skulptura të gdhendura. Ky vend kulti është i kuruar në detaje të imtësishme, ka 10 tarraca, që korrespondojnë me 10 fazat e rrugëtimit shpirtëror drejt përsosmërisë, të ndara në tre grupe, që përfaqësojnë tre mbretëritë e Samsara.

Angkor Wat (Siem Reap – Cambogia)

Në Cambogia ngrihet dhe gjendet monumenti fetar më i madh në botë. Janë dashur 40 vite për ta ndërtuar, mes viteve 1100, pas urdhrit të mbretit Surayavarman, e fillimisht ishte i konceptuar si tempull hindu, e më pas, vetëm në shek. X, u konvertua në vend kulti budist.

Kompleksi madhështor është i ndërtuar në bazë të konceptit tempull-mal dhe ngrihet nga brendësia e një grope, e simbolizon Malin Meru, që është Olimpi i hinduizmit, e është i rrethuar nga tempuj të tjerë.

Ndërtesa kryesore ka formë katrore e gjatë 1.5 km me 1.3 km, e një mur të jashtëm kompleksiv prej 5.6 km, me 5 kulla të larta. Mendohet se u ndërtua me idenë për të qenë mauzoleumi i mbretit, ky tempull madhështor i rrethuar nga një natyrë mjaft e dendur.

Taktsang (Paro – Buthan)

Ndër më sugjestionuesit në botë është padyshim Manastiri i Taktsang në Buthan. Është një kompleks tempujsh, i ndërtuar në 1692, por edhe 8 shpellash, në një masiv shkëmbor të një vargmali mbi luginën Paro. Njihet ndryshe edhe si Strofkulla e Tigrit, sipas legjendës që rrëfen se ky tempull është ngritur në një vend ku në shekullin VIII, një guru arriti nga Tibeti këtu mbi shpinën e një tigri të shenjtë.

Më pas qëndroi në meditim për 3 muaj në shpellë, ndërsa sipas një tjetër versioni të legjendës, tigri në realitet ishte bashkëshortja e një perandori, ndjekëse e Gurusë, që u transformua kështu pikërisht për të sjellë mentorin e saj në këtë vend bashkë me Budizmin.

Gjendet në 3120 m lartësi, në një greminë të thepisur, por arrihet aty nga shtigjet e pyllit, që quhet shtegu i një mijë zanave.

Ndër më të vizituarit në botë është Tempulli i Bardhë në Thailandë, një vend kulti i Budizmit, i ndërtuar së fundmi, në 1997.

Wat Rong Khun është impresionues e një ndër tempujt më të vizituar në botë, ku nga ferri kalon në parajsë. Në fakt është i konceptuar në mënyrë të tillë që kalimi i parë është përbri qindra duarve të dëshpëruara të gdhendura, që simbolizojnë pusin pafund të dëshirave njerëzore, pra ferrin sipas Budizmit.

Në momentin që kalohet kjo urë e duarve, vizitori pritet nga statujat e gardianëve qiellorë, e nga kjo pikë nuk mund të kthehesh prapa. Simbolika e kalimit të urës nga ferri në parajsë është ajo e rrugëtimit drejt iluminizimit, pra ndriçimit.

Ndërsa në botën perëndimore, tempulli më i famshëm i epokës së lashtë është Akropoli në Athinë, simbol i një civilizimi, dhe Partenoni si tempulli kryesor i gjithë kompleksit. Greqia e Lashtë dhe hyjnitë e Olimpit, filozofia, artet, demokracia ishin themelet e një shoqërie që është themeli i atyre perëndimore.

Në një duel mes Poseidonit dhe Athinës se kush do të ishte Hyji i qytetit, Poseidoni bëri që në mes të tempullit të buronte ujë i bollshëm deti, ndërsa Athina mbolli një ulli. Të urtët menduan se ulliri ishte më i nevojshëm për qytetin dhe kështu Athina u zgjodh Hyjnesha mbrojtëse, nga ku edhe qytetit iu dha emri i saj. Në brendësi të sitit arkeologjik më të famshëm në botë ndodhen disa tempuj, por Partenoni është tempulli principal në nder të gjithë Hyjnive të Olimpit.

Klan news