Duhet të ishte një seancë e qetë konstituimi ajo e parlamentit, por dita e parë e punës për deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit riktheu tensionet e vjetra.

Sali Berisha akuzat për kundërshtarët e tij në qeveri i vijoi pa hyrë ende në seancë, duke paralajmëruar nisjen e betejës si dhe votën kundër për kreun e ri të parlamentit, Niko Peleshi.

“Të votosh Niko Peleshin është dhjetë herë më mirë se të votosh Kapuranin, apo bandën e tij në Korçë. Ky parlament është jolegjitim i karteleve të drogës, i miliarda eurove të vjedhura të shqiptarëve, ky është parlamenti i dhunimit të fjalës së lirë, të farsës elektorale. Hap më legjitim se kjo që bën sot PD nuk ka, por ne e kemi betejë.”

Socialistët, të cilët morën 83 mandate deputetësh në zgjedhje, u ulën edhe në krahun e demokratëve, ndër ta 72 ligjvënës do të betohen për herë të parë.

Demokratët dhe aleatët do kenë 50 deputetë, 14 prej të cilëve janë të rinj, apo rikthime siç janë Jozefina Topalli, Igli Cara dhe Gent Strazimiri.

Hapja e seancës së parë planare i’u besua socialistit më të vjetër, Vasil Llajo, pas refuzimit nga ana e Sali Berishës dhe Tritan Shehut.

Mesazhi i mjekut nga Saranda ishte një ftesë e hapur për bashkëpunim me opozitën lidhur me integrimin e vendit në familjen europiane.

“Ky është mision historik i kësaj legjislature. Ky nuk është mision i një partie, por kombëtare, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë.”

Por u deshën vetëm pak minuta pas leximit të emrave të deputetëve dhe tensionet e vjetra u rikthyen në seancë, që u ndoq nga përfaqësitë diplomatike në vendin tonë.

“Nuk u lexuan emrat e Bajrave, Pëllumb Gjokës dhe emrat e partisë së vërtetë, të krimit; u lexua vetëm Lubi Balluku.”

Pavarësisht thirrjeve të Llajos, qetësia nuk u vendos në sallë. Ashtu siç kishin paralajmëruar demokratët me pankarta, ata bllokuan foltoren e Kuvendit, por nuk lejuan kreun e grupit socialist të flasë.

Opozita refuzoi të bëhej pjesë e komisionit të verifikimit të mandateve, i cili u ngrit mes tensioneve në sallë, duke shënuar mbylljen e seancës së paradites, që zgjati për afro 25 minuta.

Sali Berisha atë që nisi brenda në sallë e përfundoi jashtë me gazetarët, duke akuzuar kundërshtarin e tij për shkelje të rregullores së Kuvendit.

“Rama e filloi që dje, duke shkelmuar rregulloren. Asnjë komision nuk ndryshohet pa ndryshuar rregulloren. Po për të s’ka; parlamenti i tij është vetëm droga.”

140 deputetët do të rikthehen sërisht për t’u betuar dhe për të votuar kreun e ri të parlamentit në orën 17:00 të pasdites.

Mbledhja e Kuvendit të ri vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama shpalli kabinetin e ri qeveritar dhe, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

Është Kryeministri ai i cili brenda 10 ditëve duhet të paraqesë në Parlament programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Tv Klan

/tvklan.al