Tensionet në rritje mes Rusisë dhe Perëndimit nuk kanë gjasa të ulen.

Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kushner, ka akuzuar Moskën se pas vendimit për njohjen e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë ajo fsheh realisht synime të tjera ndaj Ukrainës dhe Moldavisë.

Vizita e menjëhershme e sekretarit të jashtëm britanik, David Miliband, në Ukrainë pasqyron shqetësimin e thellë të Evropës për përshkallëzimin e krizës në Kaukaz.

Miliband është shprehur për BBC-në se qëllimi i vizitës së tij në Kiev është ndërtimi i një koalicioni kundër asaj që ai e cilësoi agresion rus në Gjeorgji.

Presidenti ukrainas, Viktor Jushçenko, e ka përshkruar vendin e tij si peng i luftës ruse. Diplomacia evropiane paralajmëron për një situatë tepër të rrezikshme pasi në shkelje të hapur të ligjeve ndërkombëtare Moska ka dërguar flotën ushtarake në Detin e Zi.

Në këto ujëra ndihet tensioni i Luftës së Ftohtë. Një grup anijesh të flotës ruse janë ankoruar në portet gjeorgjiane me synimin sipas Moskës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këtë territor rebel dhe për të mos lejuar transportin e armëve drejt Tbilisit.

Por ndërkaq edhe tre anije amerikane me ndihma humanitare janë ankoruar në Detin e Zi duke shqetësuar Kremlinin.

Gjeneralët më të lartë në vend thonë se po vëzhgojnë me kujdes mobilizimin e rrezikshëm të luftanijeve të NATO-s në këtë zonë.

Vendimi i Moskës është dënuar edhe nga Aleanca Veri-Atlantike që i ka bërë thirrje asaj të anulojë njohjen e provincave separatiste duke thënë se kështu ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për integritetin territorial të Gjeorgjisë.

Të hënën pritet një vendim i aleancës kundër kësaj situatë, megjithatë ai pritet të jetë tërësisht politik sepse NATO gjithnjë është përpjekur të zgjidhë konfliktet etnike me anë të diplomacisë.

Ndërsa Moska kërcënon Uashingtonin se do t’i përgjigjet me zjarr nëse ai ndërton mbrojtjen raketore pranë kufirit rus, presidenti Medvedev është moskokëçarës.

Nuk kemi frikë nga asgjë, tha ai, duke shpjeguar për Financial Times se rrënjët e këtij konflikti janë tek Kosova, pavarësia e së cilës u mbështet ushtarakisht dhe politikisht nga Perëndimi./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle