Danimarka nuk do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit këtë javë, pas përshkallëzimit dramatik të konfliktit me Uashingtonin për Groenlandën. Media prestigjioze Bloomberg konfirmoi vendimin e autoriteteve daneze, që u mor si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të Donald Trump për blerjen e ishullit arktik.

Mosmarrëveshja arriti kulmin gjatë fundjavës, kur Presidenti Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 10% ndaj tetë vendeve europiane duke nisur nga 1 shkurti, të cilat do të arrijnë në 25% në qershor. Liderët e tetë vendeve europiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë rreshtuar në solidaritet të plotë me Danimarkën duke e cilësuar këtë si një “spirale të rrezikshme”.

Për t’u mbrojtur, Brukseli po bëhet gati të aktivizojë “Bazokën” tregtare, zyrtarisht të njohur si Instrumenti Anti-Detyrim, i cili mundëson ngrirjen e investimeve amerikane dhe bllokimin e kontratave publike në kontinent.

Nëse aktivizohet, ky mjet do të godasë drejtpërdrejt gjigantët e “Silicon Valley” me gjoba deri në 10% të xhiros globale dhe tarifa prej 93 miliardë eurosh mbi avionët Boeing dhe makinat SUV. Me planet për krijimin e një ushtrie europiane që mund të zëvendësojë NATO-n, Europa po përgatitet për një luftë totale ekonomike kundër pretendimeve territoriale të Shtëpisë së Bardhë.

Tv Klan

/tvklan.al