Policia e Durrësit ka arrestuar sot 30 vjeçarin Dorian Hasa nga Durrësi, pasi ky i fundit ditën e djeshmë rreth orës 22:30, në lagjen Nr.12, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë R.P. 26 vjeç, banues në Durrës, pasi ky i fundit e kishte goditur D.Hasën me grushta dhe me sende të forta në fytyrë.

Sipas policisë Hasa ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit R.P. , i cili është shmangur duke u larguar me vrap nëpër rrugicat e lagjes.

Pas këtij momenti dhe 30-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe armën e krimit.

Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje pasi kreu veprimet e para hetimore, ku sekuestroi dhe një gëzhojë e kalibrit 7.62 mm, model 54, mundi të identifikojë personin që kishte qëlluar me pistoletë dhe u vu në ndjekje të tij, që u finalizua pa kaluar 24 orë.

Mbi Dorian Hasën rëndojnë akuzat e veprave penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”./tvklan.al