Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka tërhequr nga faqja e tij zyrtare mijëra dokumente që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein, pasi u konstatua se identitetet e viktimave ishin ekspozuar për shkak të redaktimeve të gabuara.
Avokatët që përfaqësojnë viktimat thanë se publikimi i dokumenteve kishte shqetësuar afro 100 të mbijetuar, pasi në to përfshiheshin adresa email-i, fotografi nudo dhe të dhëna të tjera personale që lejonin identifikimin e tyre.
Të mbijetuarit reaguan ashpër, duke e quajtur këtë veprim “të papranueshëm” dhe duke theksuar se publikimi i emrave dhe detajeve personale i ka ekspozuar ata ndaj ritraumatizimit, kërcënimeve dhe rrezikut serioz për jetën.
Departamenti i Drejtësisë amerikan pranoi gabimet, duke deklaruar se ato ishin rezultat i “gabimeve teknike ose njerëzore”, dhe njoftoi se të gjitha dokumentet e sinjalizuara janë hequr për redaktim të mëtejshëm. Siç shkruan BBC, në një letër drejtuar një gjyqtari federal, departamenti konfirmoi se po shqyrton edhe kërkesa të reja dhe po kontrollon nëse ka dokumente të tjera që kërkojnë redaktim shtesë.
Publikimi i dokumenteve ishte i detyrueshëm pas miratimit nga të dy dhomat e Kongresit të një mase ligjore që detyronte departamentin e Drejtësisë të bënte publike materialet e lidhura me Epstein, me kushtin që çdo informacion që mund të identifikonte viktimat të redaktohej.
Megjithatë, dy avokatë të viktimave i kërkuan një gjyqtari federal në Nju Jork të urdhëronte mbylljen e faqes që publikoi dokumentet, duke e cilësuar rastin si “shkeljen më të rëndë të privatësisë së viktimave brenda një dite në historinë e SHBA-ve”. Sipas tyre, situata përbën një emergjencë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore, pasi mijëra raste përmbanin emra dhe informacione personale të paredaktuara.
Disa viktima raportuan pasoja serioze pas publikimit, përfshirë kërcënime me vdekje dhe rrezik real për sigurinë e tyre personale, pasi u zbuluan edhe të dhëna bankare private. Miliona dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein janë bërë publike që nga miratimi i ligjit për transparencë vitin e kaluar, përfshirë miliona faqe, qindra mijëra imazhe dhe mijëra video.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 