Tërmeti goditi ishullin Kyushu japonez në orën 16: 27 pasdite, me më shumë se 150 mijë njerëz që u njoftuan të zhvendoseshin në strehimore evakuimi, për shkak të rrezikut të pasgoditjeve dhe një cunami të mundshëm.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë aktivizoi përkohësisht alarmin për cunami në Gjirin Ariake, pranë bregdetit perëndimor të prefekturës Kumamoto, një zonë që ndodhet rreth 540 milje në jugperëndim të Tokios. Paralajmërimi u hoq më vonë, ndërsa autoritetet kishin parashikuar valë deri në një metër lartësi.

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë larg vijës bregdetare dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë e tyre.

Më pas, kryeministrja deklaroi për mediat se tërmeti kishte shkaktuar dëmtime në rrugë, ura dhe ndërtesa, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe raste zjarresh. Sipas të dhënave paraprake, të paktën 50 persona janë plagosur, ndërsa bilanci i plotë i dëmeve dhe viktimave vijon të vlerësohet.

Tërmeti fillimisht u raportua me magnitudë 7.1 ballë, por më pas u rishikua në 6.8 ballë nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Agjencia Meteorologjike Japoneze bëri të ditur se lëkundjet u regjistruan në një thellësi prej rreth gjashtë miljesh nën sipërfaqen e detit.

/tvklan.al