Të gjithë drejtuesit e autobusëve që të cojnë në veri dhe perëndim me ndërtimin e terminalit të ri nuk do të humbasin më orë pa fund në trafik për të dalë nga kryeqyteti.

Përmes një rrethrrotullimi që do të ngrihet në zonën e Malajzianit, aty ku po ndërtohet edhe terminali veri-perëndimor, Bashkia e Tiranës pritet t’i japë zgjidhje kësaj problematike, duke ofruar shërbim më të shpejtë për qytetarët.

“Do të ketë një rrethrrotullim pa qenë e nevojshme të shkojmë tek ura e lumit të Tiranës, pra pa shkuar në Kodër-Kamzë, për t’u kthyer menjëherë këtu ku jemi, tek ajo që quhet zona e Malajzianit dhe zona e spitaleve. Nuk do jetë një andrallë aq e madhe dhe trafik i panevojshëm në zonën e Kodër-Kamzës, përveçse atyre që, në fakt, do vazhdojnë nga Kodër-Kamza drejt Kamzës, e pastaj në veri të Shqipërisë.”

Veliaj tha se ky terminal do të sinkronizohet si shërbim për pasagjerët edhe me hekurudhën e re.

“Në momentin që këto të dyja kanë një sinkron dhe mbarojnë pothuajse në të njëjtën kohë, atëherë do të jetë e mundur të përdoret aeroporti, porti, terminali multimodal, ku do vendosen edhe taksitë, edhe transporti i qytetas i Tiranës, bashkë me terminalin e trenit; pas kësaj mund të themi se kemi krijuar një portë të Tiranës moderne”, sqaroi ai.

Terminali i ri i autobusëve Veri-Perëndim është 5 herë më i madh se ai Lindor në TEG dhe do të jetë në shërbim të 43 linjave të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut.

Tv Klan

/tvklan.al