Pak ditë pasi socialistët prezantuan 4 variantet e ndarjes së re administrative, edhe demokratët publikuan formulën e ndarjes së re territoriale. Propozimi i bërë nga Sali Berisha gjatë një tryeze me ekspertë të fushës synon rritjen e numrit të bashkive, rikthimin e komunave dhe ndarjen në rajone.
“Duhet të rikthejmë komunat në të gjitha zonat kodrinore e malore, ku ka 1mijë e 300–1 mijë e 500 banorë. Franca ka 36 mijë komuna me 1 mijë e 500 banorë. Duhet të përcaktohet numri i banorëve në qytetet satelite dhe të rikthehen bashkitë apo komunat. Ne i qëndrojmë rajoneve sipas modeleve të BE-së, janë të domosdoshme”.
Sipas Berishës, formula e propozuar nga opozita synon afrim të shërbimeve tek qytetarët dhe përshtatje të funksionimit të pushtetit vendor me kriteret e Bashkimit Europian, ndryshe nga reforma territoriale e 2015-ës, e cila sipas tij kishte synim kryesor favorizimin elektoral të Partisë Socialiste.
“Krim kombëtar, spastrim etnik ndaj popullatës. Kishte qëllim vjedhjen e votës. I dha goditje fatale procesit të zhvillimit të vendit”.
Duke u ndalur tek platforma E-Albania dhe zyra e vetme kadastrale në Tiranë, Berisha akuzoi kryeministrin se përmes centralizimit të shërbimeve publike dhe menaxhimit të pasurive shtetërore, po tenton të vjedhë pronat e shqiptarëve.
“Ergys Agasi, Albania, E-Albania është posta e hazirit. Një patriot. Shqipëria tani është vend unik në botë me një zyrë kadastrale në gjithë vendin, sepse grabitja dhe plaçkitja e tokave dhe trojeve është përparësi absolute e këtij regjimi”.
Pasditen e së martës, kryedemokrati Sali Berisha pati një takim në Kryesinë e Kuvendit me bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionut-Marian Stroe dhe Pavel Jablonski. Për mediat, ai zbuloi dhe qëndrimet që mbajti në këtë takim.
“Miqtë e ardhur për të ndjekur procedurën e post-monitorimit, unë i informova se Shqipëria ka pësuar, pas heqjes së monitorimit, kthimin mbrapa më të madh në 32 vite. Dhe aty u ndala gjerësisht në sundimin, në lidhjet e tmerrshme me krimin. I informova për lidhjet direkte të Taulant Ballës me bandat dhe me kartelët e drogës dhe sot, si shpërblim, ai kryeson grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Zgjedhjet u shndërruan në një farsë të shëmtuar elektorale, që Rama përdori të gjithë potencialet e administratës shtetërore. Parlamenti është ankesuar, kryetari i parlamentit është ankesuar, shkarkimi tek afera Rama–Balluku; iu dhashë fakte se Balluku është Rama. Të thirrur politik i Edi Ramës, Balluku”.
Lideri i opozitës theksoi se për të gjitha këto arsye kërkoi që Këshilli i Europës të rikthejë monitorimin ndaj Shqipërisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 