3 nëntor 2026 – Pesë kërcënime të ndryshme për vendosjen e bombave kanë alarmuar autoritetet në disa aeroporte europiane, duke përfshirë pesë fluturime me pasagjerë në bord. Një prej alarmeve u regjistrua mbrëmjen e djeshme, ndërsa katër të tjerat gjatë ditës së sotme.
Të gjithë avionët u ulën në siguri dhe kontrollet nuk zbuluan asnjë mjet shpërthyes në bord. Për këtë arsye, dyshohet se bëhet fjalë për alarme të rreme. Megjithatë, autoritetet kanë nisur verifikimet, duke e cilësuar ngjarjen si një situatë “shumë të pazakontë”.
Avioni i parë ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës dhe kishte si destinacion Varshavën. Për shkak të kërcënimit, ai u devijua drejt aeroportit Modlin të Varshavës. Në bord ndodheshin 181 persona.
Një tjetër avion, i nisur nga Kopenhaga, u ul normalisht në Varshavë, pavarësisht alarmit të ngjashëm.
Një tjetër rast përfshiu një avion të kompanisë Ryanair, i nisur nga Mançesteri, i cili u detyrua të kryente një ulje emergjente në Murcia të Spanjës. Në bord ndodheshin 121 persona, përfshirë ekuipazhin. Pas uljes, autoritetet spanjolle aktivizuan protokollet e sigurisë, mobilizuan zjarrfikësit dhe kryen kontrolle në avion, pasi të gjithë pasagjerët ishin evakuuar.
Edhe në këtë rast, nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Alarmi i katërt përfshiu një avion të nisur nga Izraeli, i cili u devijua drejt Sofjes në Bullgari. Atje ndërhynë edhe ekipet kundër terrorizmit.
Ndërkohë, një tjetër alarm ishte regjistruar mbrëmjen e djeshme për një fluturim të Wizz Air, i nisur nga Londra Luton dhe me destinacion Sofjen. Për shkak të kërcënimit, avioni u detyrua të ulej në Budapest, i shoqëruar nga një avion luftarak hungarez.
Kontrollet nuk zbuluan asgjë të dyshimtë dhe avioni rifilloi fluturimin drejt Sofjes pak më vonë.
Ndërkohë, sipas raportimeve të disa mediave, edhe në aeroportin e Fiumicinos, në Romë, janë kontrolluar dy avionë të Ryanair, të ardhur nga Lisbona dhe Dublini, pas kërcënimeve për bombë që rezultuan të rreme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
