Tetori Rozë sjell në vëmendje rëndësinë e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kontrollet periodike dhe veçanërisht zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë temë foli në emisionin “Rudina” Dona Godaj, drejtoreshë ekzekutive e YWCA Albania, e cila u ndal te rëndësia e vetë-ekzaminimit të gjirit dhe kontrolleve mjekësore.

Godaj theksoi se çdo grua dhe vajzë duhet të jetë e informuar se si kryhet vetë-ekzaminimi, por paralelisht duhet të kryejë edhe vizita të rregullta, pasi jo çdo ndryshim mund të dallohet vetë.

“Një nga ato që ne promovojmë shumë gjatë fushatës tonë është edhe vetë-ekzaminimi i gjirit, që secila grua dhe vajzë duhet të dijë ta bëjë. Sepse si në rastin e Fatmirës që për shembull mund të dallojë diçka që nuk është normale në gjoksin e saj, megjithatë përnjëherë është shumë e rëndësishme që të bëhen vizitat e rregullta. Sepse nganjëherë ti mund të mos dallosh asnjë gjë”, u shpreh Godaj.

Duke folur për mamografinë, Godaj sqaroi se ky ekzaminim nuk rekomandohet në të njëjtën mënyrë për të gjitha moshat. Sipas saj, për vajzat e reja, ekzaminimet duhet të përcaktohen nga mjeku dhe, në varësi të rastit, mund të rekomandohen ekot.

“Mamoja ka një moshë të caktuar. Po flas tani për të gjitha gratë, ku fusim edhe vajzat. Dhe një vajzë e re që është 20 vjeç, 23 vjeç nuk ka pse të bëjë mamografi vetëm në rast se mjeku e sheh të udhës që duhet bërë. Dhe flas për vajza për shembull që mund të kenë pasur historinë në familjen e tyre me kancerin e gjirit. Po sepse nuk do të thotë që nëse ti ke një histori në familje patjetër dhe ti je… pra futesh tek grupi i rrezikuar. Por ka dhe plot raste që nuk kanë pasur fare histori në familje dhe janë prekur nga kanceri i gjirit. Ndaj themi që në moshë të re është mirë që të bëhen ekot, ndërsa mamot këshillohen në një moshë të caktuar, por gjithmonë duhet bërë nga mjeku, me këshillën e mjekut. Pra jo me mendjen tonë”, tha ajo.

/tvklan.al