Trupa gjykuese e Hagës do ta bëjë publike vendimin për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin më 16 shtator, por mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi kërkon që gjatë kësaj kohe ai të jetojë në liri.

Avokatët e Thaçit i kanë kërkuar Gjykatës Speciale lirimin me kusht kundrejt një garancie financiare prej 50 mijë eurosh. Në kërkesë thuhet se ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik arratisjeje, duke parashtruar argumentet e tyre për rishikimin e paraburgimit, i cili sipas mbrojtjes nuk është më i arsyeshëm apo proporcional.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës në vitet 1998–1999. Të katërtit i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara. Mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar, ndërsa janë pranuar me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri viteve të seancave.

Thaçi dhe tre ish-komandantët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.

Tv Klan

/tvklan.al