Një muaj gusht i dominuar nga thatësira dhe një kërkesë e lartë për energji ka vënë në provë sistemin elektro-energjetik të vendit.

Siç duket edhe nga pamjet, niveli i ujit në kaskadën e Drinit ka pësuar rënie të ndjeshme.

Sipas të dhënave zyrtare të vëna në dispozicion për Televizionin Klan nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, prurjet natyrore në këtë kaskadë kanë zbritur në vetëm 75 metra kub ujë në sekondë, ndërsa kërkesa për energji mbetet në nivele të larta.

Niveli i liqenit të Fierzës është aktualisht 272.4 metra, ende larg 240 metrave që është pika kritike kur turbinat duhet të ndalen. Pikës kritike po i afrohen edhe Komani, që gjendet në 173.8 metra, dhe Vau i Dejës, që llogaritet 73.8 metra.

Rezerva energjetike e akumuluar në kaskadë llogaritet në rreth 553 gigavat-orë.

Por presioni nuk vjen vetëm nga mungesa e ujit. Në gusht, kërkesa që duhet të mbulojë KESH ka qenë 15 për qind më e lartë se në të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme, ndërsa prurjet në Kaskadën e Drinit kanë qenë 40 për qind nën mesataren shumëvjeçare.

Nga rreth 24 mijë MWh energji që kërkohen çdo ditë, vetëm 15 mijë MWh sigurohen nga kaskada. Pjesa tjetër mbulohet përmes burimeve alternative dhe blerjeve në treg.

KESH thotë se po ruan rezervën hidrike përmes blerjeve në treg, prodhimit fotovoltaik dhe përdorimit të TEC-eve lundruese në Vlorë. Këto të fundit aktivizohen kryesisht në orët e pikut, kur çmimi në treg ka arritur deri në 400 euro për megavat-orë.

Edhe viti i kaluar ishte i thatë. KESH raportoi prurje mesatare rreth 120 m³/s, 34 për qind nën mesataren 30-vjeçare.

Tv Klan

/tvklan.al