E përditshmja amerikane “The Telegraph” i ka kushtuar së fundmi një artikull vendit tonë, të cilin e konsideron se është bërë destinacioni më i preferuar i Evropës.

Në artikull shkruhet se disa vizitorë të huaj, dy vite më parë, kishin vendosur pa hezitim se ku të shkonin me pushime me fëmijët e tyre dhe Shqipëria kishte qenë zgjedhja e tyre e padiskutueshme.

Sipas “The Telegraph”, turistët u joshën nga ujërat e kaltërta, çmimet më të ulëta se mesatarja në vendet e tjera dhe videot në mediat sociale që e konsiderojnë Shqipërinë si “Maldivet e Evropës”.

Teksa rrëfejnë përshtypjet e tyre, turistët e huaj shprehen se në vendin tonë gjetën kilometra të tërë me bare, shëtitore dhe gjire me turistë në plazhet me guralecë. E përditshmja amerikane shkruan se numri i vizitorëve vazhdon të rritet vit pas viti në Shqipëri, sikurse edhe markat globale të hoteleve që ofrojnë struktura moderne.

Duke bërë një krahasim të shtimit të flukseve turistike, “The Telegraph” shkruan se numri i vizitorëve në vend u rrit me 89% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2019, duke e bërë Shqipërinë destinacionin e pushimeve me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Politikat e turizmit të qëndrueshëm ishin vënë në zbatim përpara bumit, siç është edhe projekti “100 Fshatrat”, që u dha banorëve të tyre grante qeveritare për t’i ndihmuar të shndërronin shtëpitë e tyre në bujtina, duke u lejuar turistëve, si të huajve ashtu edhe vendasve, të përjetonin jetën tradicionale shqiptare.

Në përmbyllje të artikullit, media prestigjioze amerikane nënvizon se falë investimeve të qeverisë shqiptare pritet të realizohet një objektiv prej 30 milionë turistësh vjetorë deri në vitin 2030, nga rreth 12,5 milionë vitin e kaluar.

Klan News

/tvklan.al