Në një artikull kushtuar turizmit në Shqipëri, e përditshmja britanike The Times rendit 11 destinacionet më të bukura në vendin tonë.

“Vendi ballkanik nuk ka qenë kurrë më i preferuar nga turistët, me plazhe me rërë të bardhë, hotele të reja bashkëkohore, histori të pasur dhe fluturime të përballueshme. Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse në Evropë”, është ky kryetitulli i gazetës britanike.

Pogradeci qëndron në krye të listës së The Times për këdo që dëshiron pushime pa turma në plazh, duke zgjedhur brigjet e Liqenit.

Për ata që e quajnë Shqipërinë “Maldivet e Evropës”, Ksamili është destinacioni ideal. Ai ofron plazhe me rërë të bardhë si Bora Bora, shkruan gazeta britanike, duke sjellë në vëmendje edhe Sarandën. Sipas gazetës, perëndimet e diellit nga Kalaja e Lëkurësit janë ndër më spektakolaret.

Një parajsë për adhuruesit e ecjeve malore renditet Parku Kombëtar i Thethit dhe ai i Llogorasë. Berati dhe Gjirokastra, dy qytete të mbrojtura nga UNESCO, duhen vizituar, shkruan The Times, ndërsa sugjeron edhe Shkodrën dhe Krujën.

Një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, Durrësi, me një histori rreth 3 000-vjeçare, rekomandohet gjithashtu, pa lënë pas Tiranën, që sipas The Times përfaqëson një version krejtësisht modern të qyteteve postkomuniste.

Tv Klan

/tvklan.al