Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi përmes Truthit, se do të reduktojë së shpejti numrin e trupave amerikane në Gjermani, ku ka 36 mijë ushtarë, më shumë se kudo tjetër në Europë.

“Shtetet e Bashkuara po studiojnë dhe po shqyrtojnë reduktimin e mundshëm të trupave në Gjermani, me një vendim që do të merret gjatë periudhës së shkurtër kohore të ardhshme”, tha ai.

Planin e shpalosi një ditë pasi kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se Shtetet e Bashkuara po poshtërohen nga udhëheqja iraniane, për shkak të mungesës së rezultateve në negociata. Atij personalisht iu drejtua me një tjetër postim.

“Kancelari i Gjermanisë duhet të shpenzojë më shumë kohë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë/Ukrainën (ku ai ka qenë plotësisht joefektiv), për ta rregulluar vendin e tij të shkatërruar nga emigracioni dhe nga energjia. Të shpenzojë më pak kohë për të ndërhyrë tek ata që po heqin qafe kërcënimin bërthamor të Iranit, duke e bërë botën, përfshirë dhe Gjermaninë, një vend më të sigurt”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë një takimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump nuk përjashtoi edhe mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Spanja dhe Italia.

Është folur më herët në media se SHBA-të mund t’i zhvendosin trupat në vende të tjera të NATO-s si Poloni, Rumani, Lituani e  Greqi.

Tv Klan

/tvklan.al