Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet për dizenjatorin e arbitrave në Itali, Gianluca Rocchi, të cilat kanë thelluar akoma më shumë skandalin në futbollin italian.

Sipas gazetës La Repubblica, 52-vjeçari përdorte kode të fshehta komunikimi me arbitrat që ndodheshin në sallën e VAR-it për t’u dhënë atyre indicie në lidhje me vendimet që duhet të merrnin për rastet e dyshimta. Dora e ngritur lart ishte një sinjal për të mos ndërhyrë, ndërsa dora e bërë grusht fshihte mesazhin që arbitri i VAR-it duhet të komunikonte me atë të fushës.

Pavarësisht se qëllimi i shefit të arbitrave mund të ketë qenë pozitiv për të ndihmuar në vendimet e drejta, komunikimi mes tij dhe të përzgjedhurve në VAR është diçka e ndaluar dhe përbën shkelje të rëndë.

Përveç Rocchit dhe shefit të VAR-it Gervasoni, nën hetim kanë përfunduar gjithashtu edhe arbitrat Paterna, Naska dhe Di Vuolo.

Kaosi që ka përfshirë futbollin italian, edhe pas dështimit për t’u kualifikuar në Botëror, po shtyn ministrin e Sportit Andrea Abodi që të ndërhyjë për të vendosur një person të besuar në krye të Federatës Italiane. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i UEFA-s, e cila nuk lejon politikën të ketë vendimmarrje në federatat sportive. Në rast se kjo ndodh, Italia do të humbasë të drejtën si vend organizator i Europianit 2032 dhe të gjitha skuadrat do të përjashtohen nga kompeticionet europiane.

Tv Klan

/tvklan.al