Lajme Arkiva 2004

Të dënuarit për krime të rënda deri në burg të përjetshëm lëvizin lirshëm duke rënduar gjendjen e sigurisë për komunitetin. Këtë deklaroi kreu i akuzës Theodhori Sollaku  në Kuvend.

Prokurori i Përgjithshëm përmendi në raportin vjetor për 2003, se 80% e ndjekjeve  penale kanë marrë zgjidhje ndërsa mbi 2000 çështje janë  pushuar për mungesë faktesh, provash apo tërheqje ankimimi.

Kriminaliteti shtrihet ne tre drejtime kryesore. Veprat penale kundër personit zënë 20%, kundër pasurisë 45.6% dhe kundër autoritetit të shtetit 22%.

Theodhori Sollaku: “Nuk do të kishte asnjë kuptim ndjekja penale që ushtron prokurori në hetimet paraprake dhe në ngritjen e akuzës në gjykatë si dhe verdiktin e Gjykatës në të gjitha shkallët e gjykimit për dhënien e drejtësisë. Në qoftë se vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk do të ekzekutoheshin duke ngelur në sirtar të organeve të urdhëruara për të kryer ekzekutimin për të dënuar me burgim të përjetshëm dhe me burgim. Kategoritë e personave të dënuar për krime të rënda, deri me burgim të përjetshëm që duhet të izolohen nga shoqëria me gjithë përmirësimet e ndjeshme , lëvizin lirshëm duke rënduar gjendjen e  sigurisë publike në vend”.

 Krahasuar me një vit më parë prokuroria vëren 13% rritje të numrit të çështjeve penale të regjistruara në prokurorinë e rretheve gjyqësore dhe 28 % ulje për çështjet e regjistruara në prokuroritë ushtarake.

93 % e të pandehurve  që ka përfaqësuar akuza në gjyq, kanë rezultuar të fajshëm. Kompensimi për një ditë burg të padrejtë sipas kryeprokurorit, është afërsisht sa paga ditore e një ministri./tvklan.al