Në 10-vjetorin e ngritjes dhe funksionimit të qendrës së Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, Edi Rama foli për histori suksesi. Kreu i qeverisë iu rikthye akuzave për vonesa të ambulancës në Gusht të vitit të kaluar, teksa ju referua ngjarjes së Pogradecit ku mbeti i vrarë i riu Egli Proga.

“U ngritën gjithë qenëria në një lehje të madhe siç ndodh çdo ditë se ne jemi rritur në fakt me qentë e lagjes natën që lehnin. Tani s’ka më nga ata që lehin jashtë penxhereve, janë këta që lehin tek penxherja e televizorit dhe u torollis gjithë mileti. Tani është koha që në këtë eksperiencë të përfshijmë dhe të tjerët”, tha Rama.


Për të mos pasur përplasje mes institucioneve, Rama tha se thirrjet do të menaxhohen vetëm nga Urgjenca Kombëtare.

“Dhe më tej të shpërndahet sipas kategorisë, qoftë thirrje për ndihmë mjekësore, kriminale etj. Jo ndodhi plagosje dhe niset policia, por niset edhe urgjenca, ose anasjelltas”, tha Rama.

Një jelek i dhuruar nga punonjësit e urgjencave u bë edhe shkak për batutën e radhës.

“Nuk ju premtoj që kur ta vesh do të kem ndonjë urgjencë, por do ta vesh me kënaqësi dhe besoj që ju do ma toleroni që ta vesh për qejfin e ngjyrave që ka edhe pse ndonjëherë mund ta përdor kur të shkoj të rraf ministrat në qeveri”, tha Rama.

Tv Klan