Përplasjet për Zvërnecin në Kuvend kanë vijuar midis socialistit, Taulant Balla, si dhe kreut të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.

Balla, gjatë fjalës së tij, u shpreh ndaj opozitarëve se secili prej tyre pretendohet të jetë “pronari i protestës” që zhvillohet në kryeqytet për ditë me radhë. Përpos këtyre, socialisti i cilësoi protestat si të drejta dhe qytetare.

“Jam shumë i sigurt se ti kur e ke provuar, ti nuk ke mbledh 30 vetë. Thirre ti një protestë dhe po i mblodhe dot ti vetë 30 vetë. Vjen këtu ti flet në emër të protestuesve. Tani se ta marrim vesh kush është pronari i protestës? Del ti thua unë jam pronari i protestës. Del Tik Llapa thotë jam unë pronari i protestës. Del Arlind Sy Madhi thotë jam unë pronari i protestës. Tani ta marrim vesh kush është? Protesta është e njerëzve. Ay ka plot djem e vajza të cilët disa protestojnë për pelikanët, shumë e drejtë, disa protestojnë për diçka tjetër, shumë e drejtë”, tha ai.

Ai shtroi dhe akuza ndaj Shehajt, duke e cilësuar si një “gjobaxhi” ndaj bizneseve private në vend.

“Ti çfarë dreqin ke? Ti je një hajdut, ti je një hajdut, je një gjobaxhi që i vihesh bizneseve nga mbrapa dhe u thua bizneseve nuk ta përmend emrin po me sill kaq lekë. I thua televizione… ti, ti, gjobaxhi, dëgjo, i thua televizioneve pse nuk më nxirrni mua në televizor. Ti re, gjobaxhi, kaq kam me ty unë”, tha ai.

Socialistët e pritën me duartrokitje këtë fjalim të Ballës, por Shehaj tentoi të marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, gjë që nuk u lejua.

Mes dy ligjvënësve pati një përplasje, teksa Shehaj filmonte Ballën dhe i kërkonte sqarime për akuzat e bëra.

Në këtë filmim, Shehaj shprehet se ka qenë në krah të qytetarëve.

“Taulant, hajde Taulant. Pse ikën, Taulant? Tek ajo protesta e di pse jam unë, Taulant? Sepse unë dola kundër ushtarit tuaj. Unë dola kundër Bashkim Ulajt, atij që ty të jep para, me të cilin ndan para, Taulant, hajde, hajde, pse ikën? Taulant, e kuptove pse jam unë në protestë? Jam si qytetar, sepse unë kam luftuar për pronën në krah të qytetarëve, ndërkohë që ti ua rrëmben pronën, Taulant. S’ta mban, hajde në debat, Taulant”, u shpreh Shehaj kundrejt socialistit.

/tvklan.al