3 tetor 2026 – Tetori Rozë sjell në vëmendje historitë e grave që janë përballur me kancerin e gjirit, por edhe rëndësinë e kontrolleve dhe zbulimit të hershëm.
Një prej tyre është historia e Fatmira Vatës, oficeres së policisë gjyqësore në Shkodër, e cila ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, Tv Klan, për të ndarë publikisht përvojën e saj dhe mesazhin për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Vata tregoi se gjithçka nisi krejt rastësisht, pasi kishte marrë informacion për një rast në rrethin e të njohurve të saj. Ky informacion e bëri më të vëmendshme ndaj sinjaleve që mund të japë trupi.
“Atëherë, në fakt përpara se të kuptoja se unë kisha këtë sëmundje, rastësisht kisha marrë informacion me një rast që ishte në rrethin e të njohurve të mi, që kishte pasur problem dhe e kishte kapur në një fazë të avancuar. Dhe… sepse njëjtë nga njëherë na vijnë shumë sinjale po edhe nuk iu vëmë mendjen dhe i lëmë të kalojnë. Po unë edhe si natyrë jam natyrë e vëmendshme kur diçka më thuhet dhe duke qenë se edhe mosha, se fillojnë rreth 50-tave fillojnë këto problemet te gratë, dhe fillova të jem pak e kujdesshme dhe isha duke bërë një banjë si zakonisht dhe dalloj një kokërr këtu.
U shqetësova, po thashë t’i jap kohë vetes, se ndoshta nuk është… kërkush nuk do të mendojë këtë të keqe domethënë, gjithmonë thonë “larg meje”. Prita një javë dhe pas një jave pashë që ishte rritur prapë. Kontrolloj gjirin tjetër, nuk ishte. Shkova bëra një vizitë edhe kuptova që kisha kancer gjiri. Më tha që është kancer gjiri dhe ishte agresiv”, tha ajo.
Diagnoza ishte një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Përballë lajmit se kishte kancer gjiri, Vata tregon se mendimi i parë i shkoi te fëmijët e saj.
“Ai ishte momenti më i tmerrshëm i jetës time, sepse për çdo grua është e tmerrshme, për çdo njeri në këtë botë se është sëmundja më e vështirë për t’u përballuar me të. Por mendova për fëmijët”, u shpreh ajo.
Më pas nisi përballja me trajtimin. Vata tregoi se shpresa e saj fillestare ishte që gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të ishte e mundur të hiqej vetëm masa dhe të ruhej gjiri. Por situata rezultoi ndryshe.
“Pastaj u operova dhe mjeku, të cilin nëse më lejon unë do ta falënderoj sa të kem jetë, Helidon Nino, edhe më tha që “do të bëjmë një biopsi të shpejtë sot kur të bëjmë operacionin dhe nëse nuk është shumë agresiv dhe shumë i përhapur, ne do ta heqim dhe do ta mbajmë gjirin”. U futa me atë shpresë në fakt. Kur dola, pashë që gjiri im ishte hequr dhe për çdo femër është e vështirë kur e sheh, por kur mendon që jeta është më e rëndësishme se gjithçka, atëherë u pajtova me fatin dhe falënderova Zotin që m’u bë e mundur për të jetuar edhe për të vazhduar jetën prapë. Edhe bëra kimioterapitë. Kimioeterapitë ishin… ato që e kanë provuar vetëm ato e dinë”, tha ajo.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe kimioterapisë, për Vatën erdhi edhe faza e radioterapisë. Ajo tregon se trajtimi zgjati për vite, ndërsa më pas vendosi të rikthehej në punë në punë.
“Pastaj erdhi faza e radioterapisë. Tre vite kam ndenjur me mjekime edhe pastaj kam filluar kam dalë menjëherë në punë. Kam dalë në punë dhe kam dalë si të gjitha shoqet, kam ndenjur me orare edhe pas orarit biles dhe e kam marrë jetën me shumë… Ajo që më ka ndihmuar mua dhe që sot, sepse unë sot kam ardhur me dhënë një mesazh dhe unë që e kam kaluar këtë sëmundje i kam dhënë vetes një detyrë: Sa të kem jetë dhe frymë do dal gjithmonë me dhënë mesazhe për këtë”, u shpreh ajo.
/tvklan.al












Botërori 2026 