Pavarësisht mos dakordësisë me mazhorancën në komisionin hetimor për sistemin TIMS, Ervin Salianji u ka dërguar institucioneve kërkesat për informacion. Kryetari i këtij komisioni thotë se këto kërkesa do të shërbejnë në hetimin parlamentar, teksa paralajmëroi se në rast se nuk do të ketë kthim përgjigje do të bëjë kallëzim penal ndaj tyre.

Ervin Salinji: Unë kam depozituar dje kërkesat për informacion të konceptuara nga ekspertët e komisionit dhe të firmosura nga unë si kryetar i këtij komisioni. I bëj thirrje administratës së Kuvendit që të dërgojë sot, jo nesër, kërkesat për informacion institucioneve. Çdo vonesë, çdo abuzim përbën shpërdorim detyre.

Salianji akuzoi mazhorancën se po përpiqet qëllimisht të bllokojë punimet e komisionit hetimor duke u larguar nga mbledhja.

Ervin Salinji: Anëtarët e komisionit të propozuar nga PS, pasi kërkuan 5 minuta pushim, fatkeqësisht e them…Në mënyrë mjerane dhe tinëz nuk u rikthyen më në mbledhjen e komisionit hetimor. Kërkonin të anulohej votimi i mbledhjes së kaluar me arsyetimin sa fëminor, aq qesharak se kishin qenë në tualet.

Por tjetër qëndrim ka Partia Socialiste. Nënkryetari i Komisionit Hetimor, Toni Gogu tregon arsyet përse socialistët braktisën mbledhjen.

Toni Gogu: U larguam me dhimbje nga Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave TIMS. Në mbledhjen e djeshme ishim të shtrënguar që nga anëtarë të një Komisioni Hetimor, të bëheshim dëshmitarë sesi Ligji u shkel sistematikisht me injorancë si një gjë e pavlerë. Ligji që duhet të respektonim për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore na ngarkon ne, ligjvënësve që të hetojmë përmes veprimeve procedurale për të sqaruar një çështje të veçantë në rastin tonë, veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e sistemit TIMS, por pa marrë të pandehur dhe pa ngritur akuzë penale.

Gogu thotë në postimin e tij në “Facebook”, Salianji nuk ka respektuar procedurën parlamentare pasi në rendin e ditës në mbledhjen e 12 prillit është bërë votim pa prezencën e plotë të socialistëve.

Toni Gogu: Më duhet të shpjegoj se kërkesat proceduriale për informacion që i dërgohen krerëve të institucioneve të rendit dhe sigurisë në republikën tonë, kanë nevojë të mbështeten me vendimmarrjen e deputetëve anëtarë të Komisionit. Për vendimmarrjen nevojitet Votim sipas Ligjit, sepse vendimet e Komisioneve Parlamentare, nuk janë si votimet e 5 mijë delegatëve, që votonin të ulur në 3 mijë karrige, e nga të cilat votime “merreshim vendime” të njoftuara e të zbardhura muaj të tërë përpara votimit.

Që në nisje të Komisionit Hetimor për TIMS, mazhoranca dhe opozita kanë patur përplasje të vazhdueshme përsa i përket dëshmitarëve dhe për institucioneve që do u dërgohen kërkesa për informacion lidhur me rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Klan News