Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo priti mbrëmjen “Tinguj jetë mes tokës dhe detit”. Kompozitori Aulon Naçi solli krijimet e tij origjinale në piano.

Mes mureve shekullore të Kalasë së Ali Pashës, publiku përjetoi një mbrëmje intime, ku muzika u shndërrua në një tjetër mënyrë për të treguar historinë dhe identitetin e vendit.

Në mesin e të pranishmëve kishte edhe vizitorë të huaj, të cilët e ndoqën koncertin si një përvojë artistike dhe kulturore të lidhur ngushtë me peizazhin shqiptar. Edhe publiku shqiptar e vlerësoi ndërthurjen e muzikës bashkëkohore me elementet tradicionale.

Për kompozitorin Aulon Naçi, kjo mbrëmje ishte edhe një mundësi për të ndarë me publikun një tjetër dimension të krijimtarisë së tij, përmes një bashkëpunimi të veçantë me violinistin dhe kompozitorin Olen Cesari.

“Tinguj jetë mes tokës dhe detit” u shndërrua kështu në një takim mes artit, natyrës dhe kujtesës, duke e kthyer për një mbrëmje Kalanë e Ali Pashës, në një skenë ku historia dhe muzika bashkëjetuan nën tingujt e Jonit.

Tv Klan

/tvklan.al