Një komb, një zemër, një e ardhme! Nën këtë slogan, Tirana do të mirëpresë nga data 13 deri më 15 prill samitin e katërt të diasporës shqiptare. Në ftesën drejtuar bashkëkombësve, kryeministri Edi Rama e konsideron këtë takim një moment të rëndësishëm bashkëpunimi dhe mirënjohjeje për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 11 majit, ku për herë të parë diaspora ushtroi të drejtën e votës.

“Për herë të parë, zëri juaj u konkretizua përmes votës suaj të drejtpërdrejtë. Dhe në atë votë ishte e gjithë Shqipëria jashtë Shqipërisë: ishte forca e punëtorëve tanë që me djersë kanë ndërtuar jetë të reja dhe i kanë bërë më të mira jetët e të tjerëve. Ishte guximi i sipërmarrësve tanë të vegjël që nga ikanakë të dëshpëruar prej vendit të tyre janë kthyer në kontributorë të respektuar të vendeve që sot janë edhe të tyret.”

Kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin e shqiptarëve kudo që ata jetojnë e kontribuojnë, ndërsa i ftoi t’i bashkohen në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.

“Pjesëmarrja juaj aq kuptimplotë i dha një legjitimitet të ri rrugëtimit tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Ju treguat se pavarësisht nëse kontribuoni me krahë pune, me sipërmarrje modeste, me fashikuj leksionesh apo me kodet më të sofistikuara kompjuterike, dëshira për ta parë Shqipërinë të vazhdojë të bëjë përpara e të bëhet më në fund e barabartë mes të barabartësh në shtëpinë e Europës është një forcë që na bashkon të gjithëve.”

Jo vetëm kontribuues në ekonomi, por shqiptarët në diasporë për kryeministrin janë edhe ndërtues të së ardhmes së përbashkët me dijen dhe eksperiencat e tyre.

“Ju nuk jeni më thjesht lekëdërgues bujarë e vëzhgues të kujdesshëm të Shqipërisë, por edhe ndërtues aktivë të së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët. Samiti i prillit është pikërisht hapësira ku do të diskutojmë se si ta kthejmë këtë stad të ri marrëdhënieje në një energji të re për një motor të shtuar të zhvillimit të Shqipërisë. Dija juaj në shoqëritë ku jetoni, përvoja juaj në çdo nivel të punës dhe lidhjet tuaja janë një pasuri e madhe e kombit tonë.”

Samiti pritet të bëjë bashkë diasporën për të bashkërenduar veprimtarinë e përbashkët, por edhe për të identifikuar sfidat që prekin komunitetin shqiptar kudo në botë, si dhe nxitjen e bashkëpunimit dhe angazhimeve konkrete për projekte të përbashkëta.

Klan News

/tvklan.al