Veliaj: Modernizimi i kryeqytetit, historia jonë e suksesit

Amiensi i Francës do të kryesojë përgjatë 2020 të gjitha aktivitet për të rinjtë, si kryeqyteti europian i rinisë për këtë vit. Në 2022, kryesimin do ta marrë Tirana.

“Sot është një ditë shumë e bukur për Tiranën, pasi jemi bërë pjesë e rrjetit të Kryeqyteteve Evropiane të Rinisë. Radha jonë vjen në vitin 2022. Stafetën e kryesimit sapo e ka marrë qyteti francez i Amiensit, më pas do të vazhdojë në Lituani, dhe pas dy vitesh do të jetë radha e Tiranës”.

Përgatitjet për vitin që Tirana do të mirëpres mijëra të rinjtë nga Europa kanë nisur.

“Do të kemi një aktivitet fillestar në janar të vitit 2022, për të vijuar më pas me rreth 100 aktivitete, deri në fund të vitit, ku do të kemi jo vetëm shumë personalitete nga Europa, por do të promovojmë më të mirën që ka për të ofruar rinia shqiptare”.

Për Kryebashkiakun Veliaj, modernizimi i Tiranës është histori suksesi.

“Do të kemi një provë të madhe gjenerale sesi jo vetëm jemi kryeqyteti dinjitoz i Shqipërisë moderne, por edhe një kryeqytet i Rinisë, i cili besoj do të lërë pa fjalë të gjithë ata që do të vizitojnë Tiranën. Jo se çdo gjë është perfekt, por se çdo gjë është në progres e sipër. Përpjekja jonë e sinqertë për të transformuar Tiranën, për ta modernizuar më tej atë, do të jetë historia jonë e suksesit në afatgjatë”.

Në Nëntor 2019, Tirana u përzgjodh Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2022, si shpërblim për përpjekjet e tij në drejtim të politikave rinore.

Tv Klan