Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka bërë të ditur përmes rrjetit social X se Shqipëria do të presë më 27 korrik, një konferencë ndërkombëtare të fokusuar në sfidat që lidhen me manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj, një fenomen që konsiderohet gjithnjë e më shumë si kërcënim për demokracitë dhe sigurinë evropiane.

Ministri Hoxha nënvizoi rëndësinë e një reagimi të koordinuar mes partnerëve përballë manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja. Ai theksoi se vendet e procesit të zgjerimit duhet të kenë një rol aktiv në këtë debat dhe të kontribuojnë me përvojën e tyre në mbrojtjen e hapësirës demokratike evropiane.

“Diversiteti i këtij takimi ka rëndësi. Manipulimi dhe Ndërhyrja e Huaj në Informacion (FIMI) nuk prek çdo vend në të njëjtën mënyrë, por asnjë demokraci nuk është imune dhe asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë. Përvoja e vendeve që janë përballur drejtpërdrejt me të, e kanë studiuar apo e kanë ekspozuar këtë fenomen, duhet të bëhet pjesë e një përgjigjeje të përbashkët evropiane.

Përfshirja e procesit të Zgjerimit në këtë diskutim është një hap i kohës dhe i domosdoshëm. Ne shohim një lidhje të drejtpërdrejtë: sa më shumë Shqipëria afrohet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, aq më shumë bëhet objektiv i atyre që nuk ndajnë zgjedhjet, vlerat apo synimet tona”, u shpreh ministri.

Konferenca synon që përveçse të krijojë një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, të diskutohen edhe masa konkrete për rritjen e rezistencës ndaj dezinformimit, mbi mënyrat e përballimit të fushatave të dezinformimit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, medias, akademisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Përvoja jonë, dobësitë dhe mësimet e nxjerra duhet të ndihmojnë në formësimin e Mburojës Evropiane të Demokracisë dhe të kontribuojnë në agjendën më të gjerë të Evropës për qëndrueshmërinë demokratike”, shkroi ndër të tjera në postim ministri Hoxha.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se në konferencë pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe Shqipëria.

/tvklan.al