Një aksident me pasoja tragjike u regjistrua këtë të martë në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Qafës së Kasharit. Një minibus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga dhe për pasojë 1 person humbi jetën dhe 12 të tjerë mbetën të plagosur. Viktimë ka mbetur drejtuesi i mjetit, Redion Hasimaj, 36 vjeç, banues në zonën e Kombinatit në kryeqytet.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, ekipet e urgjencës dhe shërbimet e policisë, të cilat punuan për nxjerrjen e pasagjerëve nga mjeti dhe transportimin e tyre drejt spitaleve.
Në këtë mjet si pasagjere po udhëtonte edhe një shtetase amerikane, e cila tregon rrethanat e aksidentit tragjik.
“Ndjeva autobusin që po dilte nga rruga. Kur ngrita sytë, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Papritur autobusi u përmbys në krah dhe njerëzit nisën të bërtisnin. Fillimisht kontrollova nëse isha mirë, pastaj dola jashtë. Pas meje po dilte edhe një person tjetër dhe ne dolëm nga pjesa e pasme e autobusit. Njerëzit ishin të gjakosur, bërtisnin. Menjëherë erdhën për të ndihmuar njerëzit nga ndërtesa aty pranë”, pohoi shtetasja amerikane.
Përplasja ishte e fortë, duke dëmtuar të gjithë krahun e majtë të autobusit. Drejtori i Policisë Rrugore, Pertal Vatoci, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se automjeti nuk është përplasur me asnjë mjet tjetër dhe se dyshimet e para lidhen me humbjen e kontrollit nga drejtuesi.
“Paraprakisht dyshohet që shkak i aksidentit të jetë humbja e kontrollit, pasi automjeti nuk ka pasur kontakt me ndonjë mjet tjetër gjatë qarkullimit. Megjithatë, shkaku i saktë do të përcaktohet pas përfundimit të veprimeve hetimore”, deklaroi Pertal Vatoci, drejtor i Policisë Rrugore.
7 prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, mes tyre dy fëmijë. Që të 12 të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës. Mes të plagosurve janë edhe dy shtetas të huaj.
Të plagosurit në Spitalin e Traumës u vizituan edhe nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila foli me disa prej tyre dhe u informua nga mjekët për masat e marra për shërimin sa më të shpejtë.
Dyshimet e para janë se drejtuesi i mjetit ka pësuar infarkt, megjithatë policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Aksidenti i rëndë shkaktoi vështirësi në qarkullimin e mjeteve të autostradës Durrës–Tiranë. Katër orë pas përplasjes tragjike, u bë e mundur zhvendosja e mjetit nëpërmjet një karrotreci. Gjatë momentit të zhvendosjes së mjetit dolën edhe disa prej sendeve personale të pasagjerëve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 