Shkëlqim Ostreni, një prej të arrestuarve për trafik kokaine në Tiranë të enjten e 21 marsit rezulton të jetë i përfshirë edhe në aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit me call centerat.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e Tiranë në vijim të hetimeve për ngjarjen ku u ndalua një punonjës policie dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas të tjerë zbuloi një call center në pronësi të Ostrenit dhe një tjetër personi me iniciale M.H i shpallur në kërkim. Sipas AMP ambjenti ndodhet në rrugën “Idriz Guri” në Tiranë dhe në të ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambjent, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente, pajisje të ndryshme dhe disa njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe/aplikacione dhe lista emrash me numra italianë. Ata kontaktoheshin nga disa operatorë, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30.000 euro.

Të dy këta persona akuzohen për veprën penale mashtrim kompjuterik, ndërsa mbi Ostrenin rëndon edhe akuza “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Në ngjarjen e 21 marsit u plagos Eneo Sulejmanaj, i cili nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Ai së bashku me Ostrenin dhe Igli Begajn u kapën me 1 kg kokainë. Për këtë ngjarje u arrestua edhe polici i Operacionales Ervis Shkurta, i cili komunikonte me trafikantët për drogën.

Klan News