Pak orë pasi shpresat për një armëpushim u ringjallën, pasi Izraeli pranoi propozimin për pjesëmarrjen në negociatat urgjente të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, optimizmi zbehet sërish.

Një sulm me raketa i ushtrisë izraelite në ndërtesën e një shkolle shkaktoi masakër në qytetin e Gazës. Rreth 100 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin që ndodhi në orët e para të kësaj të shtune.

Zyrtarët e Hamasit thanë se ndërtesa e goditur shërbente si strehë për dhjetëra familje të shpërngulura nga banesat e tyre nga zona të tjera të Rripit të Gazës, për t’i shpëtuar luftës së nisur më 7 Tetor të vitit të kaluar. Sulmi ndodhi teksa në këtë ndërtesë zhvillohej falja për besimtarët myslmimanë.

Ushtria izraelite tha se shkolla shërbente edhe si një bazë e fshehtë e militantëve të Hamasit, nga jepeshin komanda për operacionet e grupeve të zonës. Sipas zëdhënësve të ushtrisë së Tel Avivit, 20 militantë ekstremistë u vranë gjatë këtij sulmi.

Kjo është masakra më e rëndë mes palestinezëve që pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Hanije në Teheran, akt për të cilin Irani është betuar se do të hakmerret me sulme ndaj Izraelit.

Tv Klan