Kumbaro: 1 milion vizitorë të huaj gjatë dy muajve të parë të këtij viti

Shqipëria vijon të ‘josh’ turistët e huaj edhe gjatë muajve të dimrit. Sipas të dhënave të ministrisë së Turizmit, rreth 1 milion turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në dy muajt e parë të vitit 2024.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka publikuar shifrat e flukseve hyrëse për muajin Shkurt, ku më shumë se 480 mijë vizitorë të huaj kanë vizituar vendin tonë duke vijuar me tendencën rritëse që nisi që në janar, që ishin rreth 30 përqind më shumë turistë se janari i shkuar.

“Fantastike shifrat e muajit shkurt, me 55% më shumë vizitorë se shkurti i vitit të kaluar, duke bërë që Shqipëria të presë rreth 1 milionë turistë të huaj vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024”.

Sipas postimit të ministres, për dy muajt e parë të vitit 2024 kanë udhëtuar drejt Shqipërisë 41% më shumë turistë të huaj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, vit i cili shënoi rekord turistësh të huaj. 

Shifrat e larta hyrëse gjatë muajve të dimrit, janar-shkurt konfirmojnë tendencat për ta vizituar vendin tonë si atraksion gjithëvjetor dhe jo më sezonal i lidhur me turizmin e bregdetit. Në një kohë që shifrat e vizitorëve janë në rritje, Shqipëria po prezanton ofertën e saj turistike për 2024 në Panairin e Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin. 

Klan News