Me anulimin e Çmimit të Madh të Bahreinit dhe Arabisë Saudite, kalendari i Formula 1 ka pësuar një tkurrje për sezonin aktual.

Sipas organizatorëve ka pak gjasa që ato të riplanifikohen më vonë gjatë vitit për shkak të vështirësive logjistike dhe kushteve klimatike, çka do ta reduktojë kalendarin e sezonit nga 24 në 22 gara.

Gara në pistën e shkretëtirës në Bahrein ishte planifikuar të zhvillohej më 12 prill, ndërsa gara pasuese në Arabi ishte parashikuar për fundjavën pasardhëse. Të dyja eventet zhvillohen tradicionalisht në orët e mbrëmjes nën dritat e prozhektorëve, për ta bërë akoma edhe më të vështirë mbarëvajtjen e tyre.

Vendimi lidhet me tensionet në rajon, pasi sulmet e vazhdueshme mes Shteteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit kanë rritur rrezikun e sigurisë.

Dronë dhe raketa iraniane kanë goditur disa kryeqytete të Lindjes së Mesme, përfshirë Manaman në Bahrein, ku zakonisht qëndrojnë ekipet e Formula 1. Ndërkohë, disa aeroporte në rajon janë mbyllur, ndërsa Irani ka kërcënuar edhe bllokimin e rrugës kryesore tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

Afati për dërgimin e pajisjeve për garën në Bahrein ishte 20 marsi, ndërsa aktualisht kampionati ka zhvilluar dy garat e para. Ajo e radhës në kalendar është në Japoni më 29 mars, ndërsa pas saj radha i takon Çmimit të Madh të Miamit më 3 maj.

Bahreini dhe Arabia Saudite janë ndër organizatorët më të rëndësishëm financiarë për Formula 1. Vetëm tarifa e pritjes për garën në Bahrein vlerësohet rreth 45 milionë dollarë në vit, ndërsa ajo e Arabisë Saudite besohet të jetë edhe më e lartë.

Kjo është hera e dytë që gara në Bahrein anulohet, pas anulimit në vitin 2011 për shkak të trazirave civile në mbretërinë e Gjirit. Në vitin 2022, gara në Xheda u zhvillua vetëm pasi ekipet morën garanci sigurie pas një sulmi me raketa dhe dronë pranë pistës.

Me anulimin e dy garave në Lindjen e Mesme, pilotët e Formula 1 do kenë një periudhë pushimi prej thuajse 5 javësh deri në rikthimin e tyre në pistë.  Edhe kategoritë e tjera, si Formula 2, Formula 3 dhe F1 Academy nuk do të zhvillojnë garat e planifikuara në Lindjen e Mesme.

Klan News

/tvklan.al