Një stuhi e fuqishme diellore që ka goditur atmosferën e Tokës ka dhuruar pamje spektakolare gjatë natës, në shtetet e hemisferës veriore. Megjithatë nuk raportohen deri më tani probleme në komunikimet me valë.

Një spektakël të mahnitshëm ngjyrash dhuroi gjatë natës një stuhi e madhe dhe e rrallë diellore që goditi atmosferën e Tokës. Këto vezullime disa-ngjyrëshe, ku dominonin variacione të të kuqes, jeshiles dhe blusë janë xhiruar në qiejtë e Shteteve të Bashkuara nga banorët vendas. Ato ishin të dukshme edhe në Kanada.

Spektaklin e shijuan në fakt banorët e shumë shteteve të veriut të hemisferës veriore të Tokës, përfshirë edhe Europën. Sipas Qendrës amerikane për Parashikimin e Motit Hapësinor, kjo ishte e para stuhi gjeomagnetike e kategorizuar si “ekstreme” në dy dekadat e fundit. Megjithatë nuk janë raportuar probleme serioze në sistemin e komunikimeve me valore, si ato me satelitë apo me antena. Stuhia vazhdon përgjatë gjithë kësaj fundjave.

Tv Klan