Çifti i njohur i Hollywood-it, Tom Holland dhe Zendaya, kanë blerë një vilë luksoze në periferi të Londrës, me vlerë 8.25 milionë paund, rreth 9.4 milionë euro. Dy aktorët kanë arritur të përfitojnë edhe një ulje të konsiderueshme, pasi çmimi fillestar i pronës ishte 9 milionë paund.

Sipas dokumenteve të regjistrit të pronave në Britani, çifti ka paguar 750 mijë paund më pak se çmimi i kërkuar fillimisht. Vila ndodhet në një zonë të gjelbër dhe mjaft ekskluzive të kryeqytetit britanik, në një truall prej rreth 4 mijë metrash katrorë.

Banesa luksoze ka një sipërfaqe mbi 465 metra katrorë dhe përfshin pesë dhoma gjumi, katër ambiente pritjeje dhe katër banjo.

Ndërkohë, Tom Holland zotëron edhe një tjetër pronë luksoze në Kingston upon Thames, në jugperëndim të Londrës. Shtëpinë me gjashtë dhoma gjumi ai e bleu në vitin 2018 për 2.5 milionë paund dhe që prej asaj kohe ka kryer investime të konsiderueshme në rinovimin e saj.

Fqinjët entuziastë që do të kenë Spider-Man pranë shtëpisë

Lajmi për blerjen e vilës ka ngjallur entuziazëm në lagje, veçanërisht te fansat e vegjël të aktorit që interpreton Spider-Man.

Një nga fqinjët ka treguar për gazetën “The Mail on Sunday” se djali i tij i vogël mezi pret të shohë aktorin e famshëm të vendoset në zonë.

“Djali im i vogël është shumë i emocionuar që Spider-Man do të jetojë përballë nesh”, është shprehur ai me humor, duke shtuar se i ka thënë të birit se duhet ta godasë topin shumë larg që ai të përfundojë në kopshtin e pasmë të çiftit.

Nga dashuria në ekran te jeta e përbashkët

Tom Holland dhe Zendaya u njohën në vitin 2017, gjatë xhirimeve të filmit “Spider-Man: Homecoming”. Në këtë produksion, Holland interpretonte Peter Parker, ndërsa Zendaya luante personazhin e MJ.

Kimia mes tyre në ekran u shndërrua gradualisht në një histori dashurie edhe në jetën reale. Çifti u fejua në dhjetor të vitit 2024, ndërsa në qershor, gjatë një interviste për revistën “Esquire”, Holland konfirmoi se ata ishin martuar, pas muajsh spekulimesh.

Tashmë, dy aktorët duket se po ndërtojnë një kapitull të ri të jetës së tyre së bashku, në shtëpinë luksoze në Londër.

/tvklan.al