Një prej formateve më të njohura dhe më të ndjekura të reality show-t britanik, The Only Way is Essex ose TOWIE, ka zgjedhur Rivierën Shqiptare për xhirimet e sezonit të tij më të ri.

Ekipi realizues, i të njëjtit produksion që ka prodhuar reality show-n Love Island, të transmetuar edhe në Televizionin Kombëtar Klan dhe të xhiruar në plazhin e mrekullueshëm të Palasës, këtë herë është vendosur në Dhërmi, në “Drymadess Inn”.

Ky program, me mbi 64 milionë shikues, konsiderohet një nga formatet më të suksesshme të televizionit reality në Mbretërinë e Bashkuar. Fitues i çmimit prestigjioz BAFTA, emisioni transmetohet pa ndërprerje që prej vitit 2010, duke pushtuar audiencën britanike prej 16 vitesh. Ai transmetohet nga ITV dhe prodhohet nga Objective Entertainment, pjesë e Objective Media Group të grupit ndërkombëtar All3Media.

Përzgjedhja e Rivierës Shqiptare si destinacion për xhirimet e reality show-t më të ndjekur në Britani është jo vetëm një patentë e suksesshme promovimi për vendin tonë, por edhe një konfirmim që Shqipëria po tërheq vëmendjen e industrisë ndërkombëtare të medias dhe argëtimit, duke u shndërruar në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm për turizmin dhe produksionet e huaja.

Historikisht, TOWIE ka përdorur destinacione që ITV i konsideron trendy, luksoze dhe ideale për audiencën britanike.

“Gjithmonë kërkojmë vende dhe destinacione të reja ku të sjellim kastin, vende ku nuk kemi qenë më parë. Shqipëria për momentin është në buzët e të gjithëve në Mbretërinë e Bashkuar. Është shumë tërheqëse dhe veçanërisht të rinjtë duan të vijnë në Shqipëri. Kështu që kur ua përmendëm kastit, ata u emocionuan shumë nga mundësia për të ardhur këtu. Shqipëria ishte zgjedhja perfekte për ne për këtë seri”, thotë drejtuesja kreative e programit, Rebecca Kenny-Smith.

Vetë formati i The Only Way is Essex fokusohet te marrëdhëniet, dramat, luksi, udhëtimet, pushimet, resortet, beach club-et dhe destinacionet turistike premium, çka bën që edhe Riviera Shqiptare të futet në listën e plazheve elitare.

Rebecca Kenny-Smith

Këtë fakt e konfirmoi edhe drejtuesja kreative e programit, Rebecca Kenny-Smith, në një intervistë për Televizionin Klan.

“Xhirimet kanë shkuar shumë mirë për ne, kemi pasur mundësinë të shohim shumë vende të ndryshme, gjë që na jep më shumë larmi sa i përket skenave dhe mënyrës së xhirimit. Edhe njerëzit shqiptarë kanë qenë shumë mikpritës dhe shumë profesionistë. Mendoj se jemi shumë të privilegjuar këtu. Perëndimet e diellit janë thjesht kaq të bukura. Por ajo që unë personalisht dua më shumë, është se keni detin, por janë malet ato që e bëjnë këtë vend kaq unik dhe që vërtet bërtasin “Shqipëri”, shprehet Rebecca Kenny-Smith.

Tre vjet më parë ky produksion gjigant solli në Shqipëri formatin ndërkombëtar shumë të njohur Love Island, pjesë e katalogut të programeve të prodhuara dhe menaxhuara nga grupi ITV Studios, që u transmetua në Televizionin Klan.

Për Love Island Albania, që u moderua nga Luana Vjollca dhe u transmetua në Televizionin Klan, produksioni zgjodhi një nga vilat e resortit Green Coast në Palasë, duke dhënë shkëndijën e parë se Riviera Shqiptare do të ishte në listën e destinacioneve të tyre për produksionet televizive.

Aktualisht, në ITV2 dhe ITVX në Britani po transmetohet sezoni i 37-të i TOWIE, i cili vetëm në vitin e fundit ka shënuar rreth 46 milionë shikime në ITVX, duke u renditur mes reality show-ve më të ndjekur.

Në kastin aktual bëjnë pjesë emra të njohur si Amber Turner, Lauren Goodger, Ella Rae Wise, Dan Edgar dhe Amy Childs, të cilët ndiqen nga miliona fansa në rrjetet sociale. Ndërsa ndër vite programi ka nxjerrë disa nga figurat më të njohura të ekranit britanik, mes tyre Joey Essex, Gemma Collins, Mark Wright, Amy Childs dhe shumë të tjerë që më pas janë kthyer në personalitete të rëndësishme të televizionit, radios dhe mediave sociale në Mbretërinë e Bashkuar.

Përzgjedhja e Rivierës Shqiptare nga një prej reality show-ve më të njohur në Britani është një tregues i qartë se Shqipëria po pozicionohet si një destinacion premium për turizmin, eventet dhe produksionet ndërkombëtare, duke u renditur gjithnjë e më shpesh krahas plazheve më të njohura të botës si Ibiza, Marbella apo Mykonos.

Ky ekspozim përpara miliona shikuesve britanikë përfaqëson një promovim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për potencialin që vendi ynë ka për të tërhequr vëmendjen e audiencës ndërkombëtare dhe të turistëve që kërkojnë turizmin elitar.

Tv Klan