Në Gjirokastër, folklori, etnografia dhe traditat e trashëguara brez pas brezi po kthehen gjithnjë e më shumë në një pasuri për turizmin.
Çdo fundjavë vere, rrugët me kalldrëm të qytetit marrin jetë nga tingujt e muzikës popullore. Ansamble dhe grupe folklorike performojnë në skena të improvizuara, duke tërhequr turistë dhe artdashës, që zgjedhin të përjetojnë nga afër traditën shqiptare.
Këngët dhe vallet tradicionale nuk tërheqin vetëm publikun vendas. Pjesëtarët e Shoqërisë Kulturore “Gurra e Picarit” thonë se gjithnjë e më shumë turistë shfaqin interes për të mësuar këngët dhe vallet popullore shqiptare.
Koncertet në hapësirat karakteristike të Gjirokastrës rijetëzojnë traditat, por njëkohësisht i japin qytetit një tjetër mundësi për të promovuar kulturën dhe trashëgiminë e tij.
Në këtë pasuri kulturore bën pjesë edhe kënga polifonike shqiptare, e cila është pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Mes kalldrëmeve, melodive dhe valleve tradicionale, Gjirokastra vijon të tregojë historinë e saj dhe ta kthejë trashëgiminë kulturore në një përvojë të veçantë për vizitorët.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 