Natasha Mio, një zonjë nga Elbasani ka mbi 70 vite që e feston Ditën e Verës. Festa e ardhjes së pranverës është një traditë në qytetin e saj dhe ajo kujton shumë rituale që kryhen në këtë ditë.

E ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Natasha ndan disa prej tyre, të cilat janë shumë të njohura por ka edhe detaje që në shumë qytete të tjera nuk janë të përhershme si në Elbasan. Gjithçka niste me një pastrim të shtëpisë dhe lyerjen e saj për të ‘përzënë’ dimrin e më pas vijohej me të tjerat.

Natasha Mio: Në 14 Mars, të gjithë njerëzit duan të ngrihen sa më parë, sa më shpejt, të lajnë fytyrën dhe të dalin jashtë të marrin një gjehte, një degë bliri, një degë peme që të jetë e gjelbër dhe ta sjellin në shtëpi, ta vendosin në derë ose ne i vëmë brenda nëpër vazo, sidomos po të ketë çelur manushaqja, është gjëja më e bukur, është lulja e parë që tregon pranverën. Kur ishim fëmijë, natën duke u gdhirë 14 Marsi, mblidheshin të gjithë njerëzit po të kishte kodër afër dhe ndiznin zjarre. Ndizej zjarri, mblidheshin të gjithë, fëmijë, burra, gra dhe burrat madje e kapërcenin zjarrin. Zjarri bëhej me driza si drutë që silleshin dhe bënin xixa si xixëllonjat.

Katerina Trungu: Ishte një arsye?

Natasha Mio: Për të larguar të këqijat e dimritdhe të prisnim pranverën. Gjithashtu përgatiteshin veroret, veroret përgatiteshin në shtëpi duke u gdhirë 14 Marsi, gjyshet uleshin merrin perin e kuq dhe të bardhë, por pse të kuq dhe të bardhë? E bardha ishte si dëbora, për pastërti dhe e kuqja si molla, t’u jepte shëndet fëmijëve dhe vendosej në dorë të fëmijëve, sidomos djemtë në dorë, vajzave ua vinim dhe si varëse dhe unë vetë kur kam qenë fëmijë e kam mbajtur si  varëse.

Ndër gatimet e kësaj dite është byreku me 12 lloje barishtesh, tava e kosit dhe ballokumja tradicionale. Një traditë tjetër njihet si “të bësh këmbë” dhe është gjithashtë interesante.

“Kjo gjë është si për ditën e parë, për mbarësi dhe zakonisht mernin ndonjë djalë të vogël ose ndonjë vajzë dhe sidomos po të ishte fëmija i mirë, i thoshin ma dërgo djalin të më shkelë i pari që të më shkojë mbarë”, shpjegoi Natasha./tvklan.al