Në qarkun e Dibrës, në zona të ndryshme, ndodhen disa nga pasuritë arkitekturore dhe historike të vendit tonë. Këto janë kullat, godina të vjetra që janë përdorur për banim, por edhe për mbrojtje. Kullat i gjen në zona të ndryshme të Peshkopisë, Bulqizës dhe Matit. Ato janë ndërtuar si në zonë malore, ashtu edhe në atë fushore. Por sipas studiuesve, në varësi të zonës ku janë ndërtuar, ato kanë edhe karakteristika të ndryshme.
Këto objekte që janë pjesë e historisë sonë kanë edhe historinë e tyre. Sipas studiuesve, ato janë ndërtuar që në shekullin e 14-të. Ato u përkisnin familjeve të mëdha dhe atyre më të pasura të zonës. Më të njohura në Dibër janë Kulla e Zunës, ajo e Dine Hoxhës, si dhe kullat e Kaloshëve.
Kullat janë deri në katër kate. Secili kat kishte një funksion më vete. Një pjesë e rëndësishme e objektit ishte për banim, ndërsa kati i katërt shërbente për t’u mbrojtur.
Elementet e veçanta gjenden që në hyrje të kullës.
Kamera e Klan News ka hyrë brenda njërës prej kullave. Sipër atij që njihet si burgu, gjendet kati i dytë, që shërbente për banim. Aty gjenden objekte dhe elemente të tjera që u duheshin banorëve në përditshmërinë e tyre.
Edhe kati i tretë shërbente si vend banimi.
Pjesa më interesante është kati i fundit i kullës. Në mure ka kunja ku vendoseshin armët, ndërsa në pjesë të ndryshme të katit gjenden objekte që shërbenin për mbajtjen e armëve dhe municionit.
Veç dritareve të dukshme të kullës, në këtë kat ka edhe dritare të tjera të fshehta që shërbenin për të vëzhguar.
Jo vetëm kullat, por në këtë zonë ka edhe banesa të vogla që kanë elemente mbrojtëse.
Në këtë zonë, sot një pjesë e kullave është kthyer në funksion të turizmit. Ato shërbejnë si agroturizëm për të tërhequr vizitorët, ndërsa më shumë interes tregojnë turistët e huaj, të cilët mësojnë historinë e vendit tonë. Kullat e tjera qëndrojnë si monumente të gjalla në këmbë për të dëshmuar të dikurshmen e Shqipërisë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 