Këto janë pamjet e arrestimit të 28-vjeçarit Aleksandër Matoja në zonën e Alliasit në kryeqytet. I riu që shihni edhe në këtë foto po lëvizte me automjetin e tij, kur ndërhynë për ta prangosur forcat e Komisariatit Nr.4 në Policinë e Tiranës.

28-vjeçari, një emër i njohur për policinë, po transportonte dy armë zjarri, pistoleta që dyshohet se do t’u shiteshin një anëtari të grupit kriminal në zonën e Freskut.

Burime bëjnë me dije se armët e sekuestruara dyshohet se janë trafikuar nga Turqia dhe më pas përmes 28-vjeçarit do të shiteshin në kryeqytet kundrejt vlerës prej 3,000 eurosh secila.

TV Klan gjithashtu ka mësuar se policia dhe Prokuroria e Tiranës po hetojnë mbi porositësin e dy armëve të zjarrit, por edhe mbi personin që i trafikoi ato nga shteti turk.

Nga verifikimet nuk përjashtohet mundësia që Aleksandër Matoja të ketë kryer vetëm rolin e transportuesit të armëve për llogari të një të burgosuri, pjesë e një grupi kriminal në qytetin e Shkodrës, nga ku është dhe 28-vjeçari i arrestuar.

Tv Klan

/tvklan.al