Nëse nga Tirana për në Elbasan duhet normalisht më pak se 30 minuta për të mbërritur, hyrja për në qytet është kthyer prej kohësh në një kalvar të vërtetë.

Siç duket edhe nga këto pamje të filmuara pasditen e së premtes radha e automjeteve është kilometrike, nga zona e Reçanit deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Të gjithë qytetarët që kishin vendosur me familjet e tyre të udhëtonin drejt jugut dhe juglindjes për festën e Pashkëve ose për në pikat kufitare me Greqinë u është dashur të presin mbi 1 orë në këtë trafik të rënduar.

E njëjta situatë vijoi deri në orët e mbrëmjes.

Kthimi i autostradës së vetme që lidh qendrën me juglindjen e vendit nga 3 korsi në 1 të vetme krijon mbingarkesën. Rritja e volumit të makinave që i drejtohet juglindjes prodhon pothuajse çdo ditë këtë varg të gjatë makinash. Më e rëndë situata është gjatë fundjavës apo kur ka festa zyrtare.

Zgjidhja për këtë situatë pritet të jetë Unaza e Elbasanit, studimi i së cilës është kryer dhe ndodhet në fazën e negocimit për gjetjen e financimit.

Bypass-i i Elbasanit do të nisë në zonën ku përfundon autostrada me Tiranën dhe do të bashkohet në pjesën lindore të qytetit me aksin Elbasan-Përrenjas që po i nënshtrohet një tjetër investimi për zgjerimin e tij.

Tv Klan